Azili i te moshuarve ne Fier organizoi aktivitetin “1 Tetori, një ditë kushtuar brezit të tretë”.

Ka ditë që shënohen në kalendar, por që marrin kuptim përtej një date.

1 Tetori, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, solli në Shtëpinë e të Moshuarve në Fier një atmosferë të veçantë, ku festës iu bashkuan kujtimet, emocionet dhe ngrohtësia njerëzore.
Ishte një ditë kushtuar atyre që kanë dhënë ndër vite kontribut për familjen dhe shoqërinë dhe që sot kanë nevojë, mbi të gjitha, për kujdes, respekt dhe vëmendje.
Në këtë ditë të veçantë, drejtuesja e Shtëpisë së të Moshuarve ,Dorina Gjino u shpreh se përkujdesja ndaj banorëve të institucionit nuk kufizohet vetëm në shërbimin institucional.Ajo theksoi se synimi i përditshëm është që të moshuarit të ndihen të vlerësuar dhe të rrethuar me dashuri, duke gjetur në këtë institucion edhe një familje të dytë, ku dinjiteti dhe mirëqenia e tyre janë në qendër të përkujdesjes.

Mesazhe mbështetjeje për brezin e tretë përcolli edhe deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Antoneta Dhima.
Ajo vlerësoi kujdesin ndaj të moshuarve si një përgjegjësi që shkon përtej detyrimit ligjor, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për strukturat që ofrojnë shërbime dhe përkujdesje për këtë kategori.

Në aktivitet morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të institucioneve vendore e rajonale, mes tyre Prefektura e Qarkut Fier, Bashkia Fier, Spitali Memorial Rajonal dhe institucione të tjera.
Prania e tyre përcolli mesazhin se vëmendja dhe përkujdesja ndaj të moshuarve nuk duhet të mbeten vetëm pjesë e një dite të shënuar, por të shoqërohen me angazhim të vazhdueshëm për një jetë më të qetë, të sigurt dhe dinjitoze.Dhe më shumë se fjalët ne këtë ditë e treguan vetë buzëqeshjet e tyre e te moshuarve.
Këngë, kujtime, emocione dhe përqafime shoqëruan aktivitetin, duke e kthyer 1 Tetorin në një ditë ku brezi i tretë u ndje në qendër të vëmendjes dhe respektit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033