Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq avokaten Alma Bala, e cila akuzohet për veprën penale të mashtrimit. Hetimet nisën pas kallëzimeve të paraqitura nga disa qytetarë, ku u zbulua se e pandehura, duke vepruar si avokate, u ka marrë personave të ndryshëm shuma të konsiderueshme parash duke pretenduar se i nevojiteshin për përfaqësim ligjor. Në realitet, ajo nuk ka hapur asnjë proces gjyqësor dhe nuk ka kryer veprimet administrative apo procedurale të deklaruara.
Për të bërë të besueshëm veprimin e saj, avokatja u ka dhënë qytetarëve dokumente, përmbajtja e të cilave nuk përputhej me realitetin. Shumica e personave të dëmtuar ishin shtetas që jetonin jashtë vendit dhe nuk kishin mundësi të ndiqnin nga afër proceset që pretendoheshin se po zhvilloheshin në emër të tyre.
Meqenëse ndaj saj ishin paraqitur edhe kallëzime të tjera, në një procedim të vetëm janë bashkuar disa çështje të viteve të ndryshme. Hetimet treguan se avokatja ka përdorur të njëjtën mënyrë mashtrimi në disa raste, duke përfituar para nga viktima të ndryshme.
Në përfundim, Prokuroria ka dërguar për gjykim A.B. për veprën penale të mashtrimit të kryer më shumë se një herë në dëm të disa qytetarëve, për mashtrim me pasoja të rënda dhe për falsifikim dokumentesh. Prokuroria e Fierit thekson angazhimin për të hetuar dhe ndëshkuar çdo shkelje që cenon pasurinë dhe të drejtat ekonomike të qytetarëve.


