Avokati Maks Haxhia ka deklaruar se në dosjen e Prokurorisë së Posaçme nuk ekzistojnë prova që e lidhin klientin e tij, Ergys Agasin, me fushën e tenderave apo me veprime të tjera penale për të cilat është përmendur publikisht.
Haxhia u paraqit këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të tërhequr dokumentacionin zyrtar, duke theksuar se dosja, sipas tij, është bërë publike, ndërkohë që ai dhe klienti i tij ende nuk e kanë marrë atë zyrtarisht. Sipas avokatit, një situatë e tillë dëmton procesin dhe komprometon hetimin.
Ai deklaroi se Ergys Agasi ndodhet aktualisht jashtë vendit për arsye biznesi dhe se, sipas tij, do të përballet me drejtësinë sapo të kthehet në Shqipëri. “Është jashtë shtetit duke lidhur një marrëveshje biznesi. Patjetër që do të vetëdorëzohet dhe, kur të kthehet, do të mbajë qëndrimin e tij për t’u përballur me drejtësinë”, u shpreh Haxhia.
Avokati theksoi se, sipas tij, nxjerrja e të dhënave nga dosja e hetimit dhe interpretimet publike të saj dëmtojnë seriozitetin e procesit ligjor. “Nxjerrja e të dhënave të dosjes e komprometon procesin. Konkluzionet po nxirren nga politika, jo nga provat”, u shpreh ai.
Haxhia mohoi gjithashtu çdo lidhje të klientit të tij me procedura tenderimi apo me persona të përfshirë në çështje të tjera penale, duke theksuar se në dosje, sipas tij, nuk ka asnjë provë që e lidh Ergys Agasin me këto akuza. Hetimet nga ana e SPAK vijojnë.