Avioni i vogël bie mbi ndërtesë në North Rhine-Westphalia, dy persona humbin jetën

Në North Rhine-Westphalia, Gjermani, një avion i vogël u përplas me një ndërtesë banimi, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, përfshirë pilotin.

Një tragjedi ndodhi në rajonin e North Rhine-Westphalia, ku një avion i vogël humbi kontrollin dhe u përplas direkt mbi fasadën e një kompleksi. Pas përplasjes, avioni ra në oborrin e ndërtesës dhe shpërtheu në flakë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbje jete.

Sipas raportimeve të gazetës Rheinische Post, në avion ndodheshin dy persona, prej të cilëve njëri ishte piloti. Kapiteni kishte planifikuar të ulte aeroplanin në Mönchengladbach, por për shkak të problemeve teknike me motorin, u detyrua të ndryshonte itinerarin. Kjo situatë përfundoi tragjikisht me përplasjen e avionit në ndërtesë.

Autoritetet lokale kanë nisur menjëherë një operacion të gjerë, duke angazhuar forcat e policisë, zjarrfikëset dhe ekipet e shpëtimit. Ata po punojnë intensivisht për të vënë situatën në kontroll dhe për të siguruar zonën përreth.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave.

Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin e viktimave apo raportin teknik të avionit.

Në vijim do të ndjekim zhvillimet dhe do të informojmë për çdo informacion të ri lidhur me këtë aksident tragjik.

Ndaj Postimin: