Vetëm gjashtë minuta e ndanin avionin nga tragjedia, kur karburanti i mbaroi dhe u detyrua të ulej urgjentisht në Manchester nën stuhinë “Amy”.
Një fluturim i kompanisë Ryanair, që udhëtonte nga Piza drejt Prestwick të Glasgout, përfundoi në një situatë dramatike më 3 tetor, kur avioni mbeti pothuajse pa karburant. Ngjarja ndodhi teksa stuhia e fuqishme “Amy” përfshinte Britaninë me erëra që arrinin deri në 160 kilometra në orë.
Fluturimi FR1194, i operuar nga Malta Air, kishte bërë disa tentativa për ulje në Prestwick dhe Edinburg, por kushtet ekstreme të motit i bënë të gjitha të pasuksesshme. Pas dy orësh përpjekjesh, piloti mori vendimin për një devijim urgjent drejt Manchesterit, ku avioni arriti të prekte tokën në mënyrë të sigurt.
Sipas raportimeve, në momentin e uljes, rezervuari i avionit kishte vetëm 220 litra karburant – sasi e mjaftueshme për pesë deri në gjashtë minuta fluturim. Kjo e afroi avionin shumë pranë kufirit minimal të sigurisë që kërkohet për një Boeing 737-800, i cili duhet të ketë të paktën 30 minuta karburant rezervë.
Njëri prej pasagjerëve, Alexander Marchi, tregoi për gazetën “Ayr Advertiser” se fluturimi ishte kthyer në një përvojë të frikshme. “Avioni bëri disa rrotullime përpara tentativës së parë për ulje, por u ngrit menjëherë. Herën e dytë ishim shumë pranë tokës, por piloti e ngriti sërish me forcë,” kujtoi ai.
Sipas Marchit, pasagjerët kuptuan përmasat e rrezikut vetëm pas uljes, kur panë lajmet në media. “Kur mësuam se karburanti kishte mbaruar pothuajse plotësisht, u tronditëm të gjithë. Askush nuk donte të hipte më në një avion tjetër,” tha ai.
Ryanair konfirmoi incidentin dhe njoftoi se po bashkëpunon me autoritetet ajrore për një hetim të plotë. “Çështja është raportuar më 3 tetor dhe është nën hetim zyrtar, ndaj nuk mund të komentojmë më tej,” tha një zëdhënës i kompanisë.
Ndërkohë, ekspertët e aviacionit po analizojnë nëse vendimet e marra gjatë fluturimit ishin në përputhje me protokollet e sigurisë dhe nëse moti ekstrem luajti rol kyç në rrezikimin e pasagjerëve.
Ngjarja ka ngritur sërish shqetësime për menaxhimin e emergjencave ajrore gjatë stuhive të forta, ndërsa autoritetet britanike paralajmërojnë për nevojën e rishikimit të standardeve të sigurisë për uljet në kushte ekstreme.