Tre fëmijë të mitur janë gjetur vetëm në një apartament në Durrës, pas një denoncimi të bërë nga gjyshja e tyre, e cila ka pretenduar se nëna i kishte braktisur. Rasti ka vënë në lëvizje autoritetet shtetërore dhe ka hapur procedurat për verifikimin e kujdestarisë mbi fëmijët.
Sipas të dhënave, fëmijët u gjetën në banesë në kushte të rënda higjienike dhe u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore. Pas kontrollit, mjekët konstatuan se të tre ishin të infektuar me zgjebe. Për këtë arsye, ata janë izoluar në një dhomë spitali së bashku me nënën, për të shmangur përhapjen e infeksionit te fëmijët e tjerë.
Denoncimi është bërë nga gjyshja, e cila ka akuzuar 33-vjeçaren se i kishte lënë fëmijët vetëm prej disa ditësh dhe pa ushqim. Nëna e fëmijëve i ka mohuar këto akuza, duke deklaruar se nuk i ka braktisur, por i ka lënë vetëm gjatë orarit të punës për shkak të vështirësive ekonomike.
33-vjeçarja ka sqaruar se punon si banakiere në Durrës dhe se shpesh detyrohet të punojë edhe me dy turne. Ajo ka deklaruar se përfiton rreth 40 mijë lekë në muaj, nga të cilat 30 mijë i shkojnë për qira, ndërsa ka shtuar se kërkesa për ndihmë sociale i është refuzuar. Sipas saj, babai i fëmijëve kontribuon vetëm me 18 mijë lekë në muaj.
Nëna ka pohuar gjithashtu se fëmijët nuk janë dërguar në shkollë për më shumë se një muaj për shkak të infektimit me zgjebe dhe se për mungesat është njoftuar shkolla, ku është dorëzuar edhe raport mjekësor. Njëri prej fëmijëve, 10 vjeç, ka deklaruar se nëna nuk i linte vazhdimisht vetëm, por largohej dhe kthehej gjatë ditës.
Në dëshminë e saj, 33-vjeçarja ka pretenduar se denoncimi është bërë me qëllim nga ish-vjehrra, me të cilën ka konflikt për kujdestarinë e fëmijëve. Ajo ka akuzuar ish-vjehrrën se ka hyrë pa leje në banesë dhe se ka nxitur fëmijët të flasin kundër saj.
Sipas të dhënave, babai i fëmijëve ka qenë për pesë vite në burg në Itali. Pas lirimit, ai ka kërkuar ribashkimin me ish-bashkëshorten dhe për një periudhë të shkurtër gjatë vitit 2025 ata kanë qëndruar në Itali, ku fëmijët janë pajisur edhe me dokumente italiane. Në shtator të vitit 2025, nëna është kthyer në Shqipëri, fillimisht pa fëmijët, të cilët më pas i ka marrë dhe i ka regjistruar në shkollë në Durrës.
Ndërkohë, gjyshja ka publikuar një video nga brenda banesës, ku shihen tre fëmijët të ulur në krevat, ndërsa ambienti paraqitet i mbuluar nga mbeturina dhe rroba. Autoritetet po vijojnë verifikimet për rastin dhe po shqyrtojnë masën e heqjes së kujdestarisë nga nëna.