Autori i dyshuar për vrasjen e të riut në Perugia zbulohet nga hetuesit

Hetuesit italianë kanë identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit shqiptar në Perugia, pas një përleshjeje të dhunshme përpara një lokali nate universitar.

Ngjarja tronditi qytetin universitar të Perugias, ku Hekuran Cumani, një 23-vjeçar nga Fabriano, humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një sherri përpara lokalit të njohur 100Dieci. Përplasja ndodhi në orët e vona të së premtes, pas një nate argëtimi që u kthye në tragjedi.

Miqtë e viktimës kanë dhënë dëshmi të rëndësishme për hetuesit, duke ofruar detaje të sakta mbi ngjarjen dhe personat e përfshirë. Shumë dëshmitarë të pranishëm në vendngjarje kanë konfirmuar të njëjtat rrethana, çka ka ndihmuar autoritetet të përcaktojnë me saktësi drejtimin e hetimeve.

Sipas burimeve nga Skuadra Fluturuese e policisë së Perugias, autori i dyshuar është tashmë i identifikuar. Ai mendohet të jetë një i ri me origjinë nga Afrika e Veriut, i cili ndodhej në shoqërinë e një grupi miqsh në momentin e përplasjes me 23-vjeçarin shqiptar.

Sipas hetimeve paraprake, sherri ka nisur brenda lokalit për arsye ende të paqarta dhe më pas ka degjeneruar jashtë, ku është përdorur arma e ftohtë që i mori jetën Cumanit. Policia italiane po vijon kërkimet për kapjen e autorit, i cili besohet se është në arrati, ndërsa janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.

Prokuroria e Perugias ka hapur një dosje për “vrasje me dashje” dhe po heton rrethanat që çuan në tragjedinë që ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Ndërkohë, familjarët e të riut kërkojnë drejtësi dhe apeluan për ndëshkimin e autorit.

Hetimet pritet të zbardhin motivet e plota të ngjarjes, ndërsa policia ka siguruar se “identiteti i autorit është i njohur” dhe arrestimi i tij është çështje kohe. Ngjarja ka hapur debat në Itali mbi sigurinë në zonat universitare dhe mungesën e kontrolleve në lokalet e natës.

Ndaj Postimin: