Autoritetet amerikane kanë konfirmuar se personi i dyshuar për të shtënat masive në Universitetin Brown është gjetur i pajetë në një ambient magazinimi në Salem, New Hampshire, pas një ndjekjeje gjashtëditore që shtrihej në disa shtete.
I dyshuari është identifikuar si Claudio Neves Valente, 48 vjeç, shtetas portugez, i cili kishte studiuar në Universitetin Brown në Providence, Rhode Island, rreth 25 vite më parë. Sipas policisë, gjetjet paraprake tregojnë se ai ka humbur jetën si pasojë e një plage të vetëshkaktuar me armë zjarri, ndërsa ende nuk dihet se sa kohë kishte qëndruar në ambientin ku u gjet.
Autoritetet besojnë gjithashtu se Valente është përgjegjës për vrasjen e një profesori të Institutit të Teknologjisë në Massachusetts (MIT), Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në banesën e tij në Brookline, dy ditë pas sulmit në Universitetin Brown. Sipas hetimeve, viktima dhe i dyshuari kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve ’90.
Hetimet lidhën dy ngjarjet pasi automjeti i përdorur nga Valente u identifikua përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të mbledhura në Providence. Në vendin ku u gjet trupi i tij, autoritetet sekuestruan dy armë zjarri dhe një çantë, ndërsa prova të tjera në një automjet aty pranë përputheshin me vendngjarjen e sulmit në Rhode Island.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende një motiv për sulmet. Presidentja e Universitetit Brown konfirmoi se Valente kishte qenë i regjistruar në këtë institucion nga vjeshta e vitit 2000 deri në pranverën pasuese, ku ndiqte studimet doktorale në fizikë, por nuk kishte asnjë lidhje aktuale me universitetin.
Sulmi në Universitetin Brown ndodhi më 13 dhjetor, kur një person i armatosur hapi zjarr në një ndërtesë inxhinierike gjatë një sesioni studimi. Si pasojë humbën jetën dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë, gjashtë prej të cilëve vijojnë të marrin trajtim spitalor. Viktimat që humbën jetën janë identifikuar si Ella Cook, 19 vjeçe, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç.
Prokurorët dhe agjencitë federale kanë deklaruar se, pavarësisht gjetjes së trupit të të dyshuarit, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për t’u përgjigjur pyetjeve ende të hapura lidhur me këto ngjarje të rënda që tronditën opinionin publik.


