Një aksident rrugor është shënuar mesditën e sotme në aksin Fier–Seman, në zonën e njohur si Fermë-Çlirim, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip “Opel” ka devijuar lëvizjen pasi drejtuesi ka tentuar të shmangë përplasjen me një mjet tjetër. Si pasojë e manovrës, automjeti ka dalë nga trupi i rrugës dhe ka rënë në kanal.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, automjeti i dëmtuar është larguar nga vendi i ngjarjes me karrotrec, për të shmangur krijimin e trafikut në këtë segment rrugor.