Në Austri pritet të miratohet një ligj i ri që ndalon mbajtjen e shamisë së kokës nga vajzat nën moshën katërmbëdhjetë vjeçare në shkolla. Komisioni i Arsimit në parlament ka dhënë miratimin fillestar, me votat pro të partive qeverisëse si edhe të opozitës nacionaliste, ndërsa vetëm të Gjelbrit votuan kundër.
Votimi final në Këshillin Kombëtar pritet të zhvillohet së shpejti dhe, sipas zhvillimeve të deritanishme, ndalimi pritet të marrë aprovimin e plotë. Një nismë e ngjashme u ndërmor disa vite më parë, por u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese me argumentin se ligji i atëhershëm diskriminonte një besim të caktuar.
Autoritetet aktuale deklarojnë se projektligji i ri është hartuar duke marrë parasysh të gjitha vërejtjet kushtetuese. Ministri i Arsimit ka theksuar se ndryshimet respektojnë parimet e barazisë dhe lirisë fetare, dhe se ndalimi synon të zbatohet në mënyrë uniforme në të gjitha shkollat.
Sipas rregullave të reja, në rast se vajzat paraqiten në shkollë me shami, fillimisht parashikohet një takim me prindërit. Nëse shkelja përsëritet, familjet mund të përballen me gjoba që variojnë nga njëqind e pesëdhjetë deri në tetëqind euro, ose me masa alternative që mund të përfshijnë edhe dënim me burg deri në dy javë.
Vendimi po ngjall debat të gjerë në vend, pasi përfshin çështje të ndjeshme që lidhen njëkohësisht me integrimin, liritë individuale dhe politikat arsimore.


