Rritja e tensioneve mes fuqive të mëdha botërore ka rikthyer frikën e një konflikti global me pasoja shkatërrimtare për njerëzimin. Në një skenar të mundshëm të përdorimit të armëve bërthamore, pyetja që shtrohet është nëse ekziston ndonjë vend që mund të mbetet relativisht i sigurt.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Nature, pasojat e një lufte me arsenalet aktuale, që përllogariten në rreth 12 mijë koka bërthamore, do të ishin katastrofike. Shpërthimet fillestare do të shkaktonin vdekjen e qindra milionë njerëzve për shkak të topave të zjarrit që arrijnë temperatura deri në 100 milionë gradë Celsius.
Megjithatë, pasoja edhe më të rënda do të vinin më pas. Fenomeni i njohur si “dimri bërthamor” do të bllokonte rrezet e diellit për vite me radhë, duke shkaktuar rënie të theksuar të temperaturave dhe kolaps të prodhimit bujqësor në pjesën më të madhe të globit. Zona të tëra do të përballeshin me mungesë ushqimi dhe kushte ekstreme jetese.
Në këtë kontekst, studiuesit vlerësojnë se Australia dhe Zelanda e Re janë dy vendet që kanë më shumë gjasa të ruajnë kapacitete minimale prodhimi dhe kushte jetese edhe në rast të një dimri bërthamor. Pozicioni i tyre gjeografik në hemisferën jugore dhe potenciali për prodhim ushqimor konsiderohen faktorë kyç që mund të zbusin ndikimin e drejtpërdrejtë të një konflikti të tillë.
Në pjesë të tjera të botës, dëmtimi i shtresës së ozonit dhe mungesa e dritës së diellit do ta bënin jetesën jashtëzakonisht të vështirë, duke detyruar popullsinë të përballej me temperatura ekstreme dhe krizë të thellë ushqimore.
Ekspertët theksojnë se, ndryshe nga fatkeqësitë natyrore, një luftë bërthamore është një skenar që mund të shmanget përmes diplomacisë dhe përpjekjeve për çarmatim, përpara se pasojat të bëhen të pakthyeshme.