Auditimet e KLSH nxjerrin në pah 24 milionë euro dëm dhe probleme serioze në menaxhimin e fondeve publike

Auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën janar–gusht 2025 kanë evidentuar probleme të theksuara në përdorimin e parave publike, me një dëm ekonomik dhe menaxhim joefektiv që arrin vlerën rreth 24 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, KLSH ka identifikuar 148 gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit, me një vlerë totale prej 2.4 miliardë lekësh. Nga kjo shumë, 112.2 milionë lekë përfaqësojnë dëm ekonomik të drejtpërdrejtë, ndërsa pjesa tjetër lidhet me përdorim joefektiv të fondeve.

Raporti tregon se shumica e dëmit ekonomik është përqendruar në fushën e shpenzimeve, ku shkeljet në procedurat e prokurimit dhe zbatimit të kontratave zënë peshën kryesore. Likuidime për punime të pakryera, mosllogaritje e kostove përfundimtare dhe mosrespektim i specifikimeve teknike përbëjnë pjesën më të madhe të këtyre shkeljeve.

Në anën tjetër, në fushën e të ardhurave, problemet kryesore lidhen me administrimin doganor. Mosarkëtimi i detyrimeve, deklarimet e pasakta të importeve, përjashtimet e padrejta nga TVSH-ja dhe trajtimi i gabuar i shkeljeve kanë sjellë humbje të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Të ardhura të munguara janë evidentuar edhe nga administrimi i pasurisë shtetërore dhe marrëdhëniet kontraktuale.

Krahas këtyre gjetjeve, KLSH ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare në vlerën 2.3 miliardë lekësh, me ndikim në administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve, veçanërisht në nivelin e qeverisjes vendore dhe në zbatimin e procedurave buxhetore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033