Debati për kontratat koncesionare në shëndetësi rikthehet në qendër, pasi KLSH ka evidentuar pagesa të kryera pa ofrim real shërbimi ndër vite.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ngriti kërkesën për një auditim të thelluar 10-vjeçar të kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë, veçanërisht për paketat e check up-it, hemodializës dhe sterilizimit. Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare dhe Komisionit të Ekonomisë, ai theksoi se raportet zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se këto kontrata kanë marrë pagesa pa ofruar shërbimet e parashikuara.
Braçe theksoi se kontratat janë pranë përfundimit të afatit dhe, sipas klauzolave të tyre, infrastruktura dhe sistemet duhet t’i kalojnë shërbimit publik. Megjithatë, ai solli në vëmendje rastin e koncesionit të hemodializës, ku KLSH ka konstatuar pagesa për seanca që nuk janë kryer. Sipas raportit, vetëm në vitin 2023 janë paguar shërbime për 9241 raste më pak se projekti dhe 1557 raste më shumë, me një vlerë financiare prej mbi 103 milionë lekësh.
Deputeti i PS tha se këto gjetje janë përsëritur çdo vit, duke treguar një model problematik në menaxhimin dhe monitorimin e kontratave. Ai kërkoi që auditimi të shtrihet nga dita e nënshkrimit deri në përfundimin e tyre, në mënyrë që Ministria e Shëndetësisë të ketë të qartë nëse duhet t’i shtyjë kontratat, t’i ndërpresë ose t’i zëvendësojë me shërbim tërësisht publik.
Nga ana tjetër, kreu i KLSH-së, Arben Shehu, i cili raportoi para komisioneve parlamentare, u shpreh se institucionet zbatuese duhet të marrë masa konkrete për rikuperimin e dëmeve financiare të konstatuara. Ai theksoi se vërejtjet dhe rekomandimet janë dorëzuar zyrtarisht Kuvendit dhe ministrive përkatëse.
“Ne kemi kryer hetimet financiare dhe kemi evidentuar shkeljet. Tani i takon qeverisë të bëjë analizën e detajuar brenda afateve ligjore, për të rikthyer dëmin ndaj buxhetit të shtetit”, theksoi Shehu.
Raporti vjetor i KLSH-së vjen në një periudhë diskutimesh të ashpra mbi efektivitetin e koncesioneve në shëndetësi, financimin e tyre dhe transparencën e shërbimeve që u ofrohen pacientëve. Autoritetet pritet të deklarojnë hapat e radhës pas shqyrtimit të rekomandimeve zyrtare.


