Audio-kaseta e 21 Janarit dërgohet për ekspertizë në SPAK.

Kaseta që përmban 34 minuta audio-regjistrim të komunikimeve midis drejtuesve të Gardës gjatë ngjarjeve të 21 janarit 2011 është dërguar për ekspertizë.

Pretendohet se në këtë regjistrim ndodhen momentet kur komandanti i Gardës jep urdhrin për të qëlluar drejt turmës.

Pas marrjes së këtij regjistrimi, që tregon për komunikimet e Gardës gjatë protestës ku humbën jetën 4 persona, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur aktin e ekspertizës së tij. Ky regjistrim, i dorëzuar nga gazetari Artan Hoxha, është dërguar në laboratorin e SPAK-ut për të zbardhur dhe analizuar përmbajtjen e komunikimeve, si dhe për të identifikuar personat që kanë marrë pjesë në këto biseda.

Në bisedat e regjistruara dëgjohet komunikimi i efektivëve të Gardës dhe, sipas përmbajtjes, përfshin momentet kur ata qëlluan mbi turmën. Në regjistrim dëgjohet edhe komandanti i Gardës së asaj kohe, Ndrea Prendi. E gjithë kaseta zgjat rreth 34 minuta, ndërsa, sipas dëshmisë së gazetarit Hoxha në SPAK, pjesa ku ndodhen vrasjet zgjat vetëm 7 sekonda. Gjatë këtyre 7 sekondave dëgjohet urdhri për të qëlluar dhe ndaluar.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë që çështja e 21 janarit të kalojë në hetimin e SPAK, prokuroria ka filluar mbledhjen e provave të reja dhe rishikimin e materialeve hetimore të mbledhura deri tani. Hetimi synon të zbardhë ngjarjet dhe të sigurojë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Ndër të parët që dëshmuan në SPAK ishin kallëzuesit, përfshirë të venë dhe xhaxhain e të ndjerit Aleks Nika, një prej viktimave të 21 janarit. Më vonë, SPAK ka thirrur për dëshmi edhe ish-drejtorin e policisë së asaj kohe, Hysni Burgaj, dhe zëvendësin e tij, Agron Kuliçaj.

Të dy zyrtarët kanë deklaruar se kanë vepruar në përputhje me rregullat për organizimin e tubimeve dhe protestave, duke theksuar se efektivët e tyre janë përballur me dhunë, por nuk kanë reaguar ndaj protestuesve me dhunë. Kjo është vetëm një pjesë e hetimit të gjatë dhe të ndërlikuar që po vazhdon nga SPAK për të zbardhur të vërtetën e ngjarjeve tragjike të 21 janarit.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera