Ngjarja e rëndë që ka tronditur Shkodrën mbrëmjen e kaluar, ku 33-vjeçari Ramazan Mataj u ekzekutua në një atentat me armë zjarri në zonën e Dragoçit, në Postribë, ka lënë dhimbje dhe pikëllim tek familjarët e tij.
Viktima ndodhej në automjetin e tij tip “Benz” kur ndaj tij u hap zjarr me breshëri. Sulmi ndodhi ndërsa Mataj po kthehej drejt shtëpisë.
Familjarët e viktimës kanë mohuar çdo lidhje të Ramazan Matajt me konflikte apo probleme personale. Xhaxhai i tij, Naim Mataj, në një deklaratë për mediat, theksoi se nipi i tij ishte një njeri punëtor dhe i qetë, që jetonte kryesisht jashtë vendit.
“Ramazani punonte në Malin e Zi si mjeshtër. Para një viti e gjysmë ishte në Belgjikë, ndërsa kohët e fundit ishte rikthyer dhe punonte në Malin e Zi. Vëllai i tij është ende në Belgjikë. Ata nuk kanë pasur kurrë probleme apo konflikte. Janë rritur me shumë vështirësi, sepse nuk e kanë pasur gjendjen ekonomike të mirë,” tha Naim Mataj.
Autorët e ngjarjes dyshohet se e kanë ndjekur 33-vjeçarin, duke planifikuar në detaje atentatin. Pas një ndjekjeje të shkurtër në rrugën kryesore të fshatit, ata kanë qëlluar ndaj tij me breshëri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia ka ngritur një grup hetimor për të analizuar provat dhe për të zbuluar motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Mjeti i përdorur nga autorët dyshohet të jetë i vjedhur, ndërsa hetuesit janë fokusuar në mbledhjen e dëshmive nga banorët e zonës dhe në sekuestrimin e kamerave të sigurisë.
Banorët e Dragoçit janë të tronditur nga ky krim i rëndë, që ka rikthyer frikën dhe pasigurinë në zonë. Ata kërkojnë nga autoritetet të veprojnë me shpejtësi për të sjellë drejtësi dhe për të ndalur përshkallëzimin e dhunës.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha për rritjen e kriminalitetit në zonat rurale të Shkodrës, ku episode të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Familja e viktimës, e tronditur, ka kërkuar që të zbardhet e vërteta dhe autorët të vihen para drejtësisë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, duke përfshirë edhe ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës gjatë periudhës së tij jashtë vendit. Ndërkohë, qytetarët presin që drejtësia të veprojë me vendosmëri për të zbuluar të vërtetën pas kësaj ngjarjeje tragjike.