Atentati me tritol në Shkodër, zbardhen detaje të reja: lënda shpërthyese u vendos dy ditë para shpërthimit

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me atentatin me tritol të ndodhur në Shkodër, ku humbi jetën 67-vjeçari Hysni Ymeri, ndërsa motivi dhe porositësi i ngjarjes vijojnë të mbeten ende të paqartë.

Sipas të dhënave hetimore, si autor i dyshuar i vendosjes së lëndës shpërthyese është identifikuar shtetasi Gerti Bushati. Ai dyshohet se ka vendosur tritolin në boksin e sahatëve të energjisë elektrike, në katin e parë të pallatit ku banonte viktima.

Identifikimi i Bushatit është bërë përmes pamjeve të një kamere sigurie të instaluar në një biznes pranë pallatit, ku ai shihet mbrëmjen e datës 27 dhjetor duke montuar lëndën shpërthyese. Tritoli është aktivizuar dy ditë më vonë, më 29 dhjetor 2025.

Shpërthimi ndodhi në momentin kur 67-vjeçari Hysni Ymeri po ngjitej shkallëve të pallatit për të hyrë në banesën e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas analizimit të pamjeve nga disa kamera sigurie, policia ka arritur të rindërtojë itinerarin e lëvizjes së autorëve, çka ka çuar në arrestimin e katër shtetasve: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.

Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 28 telefona celularë, një automjet tip “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike të dyshuar si kokainë, pajisje GPS, kamera sigurie dhe veshje të dyshuara të përdorura nga autorët.

Policia bën me dije se ende nuk është zbuluar motivi i vrasjes dhe as porositësi i atentatit. Të arrestuarit nuk kanë pranuar të japin deklarime gjatë marrjes në pyetje.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se të ndaluarit janë lënë së bashku në një ambient të monitoruar, me qëllim zbardhjen e identitetit të porositësit të ngjarjes. Ata pritet të njihen me masën e sigurisë gjatë ditës së hënë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033