“Askush të Mos Mbetet Pas”, gratë dhe vajzat pjesë e vendimmarrjes në Buxhetin 2026 të Bashkisë Lushnje!

Me moton “Askush të Mos Mbetet Pas”, u zhvillua një takim i rëndësishëm në ambientet e Qendrës Komunitare të Grave në Lushnje, ku u bashkëbisedua hapur me gra dhe vajza për nevojat dhe prioritetet që ato kanë, në funksion të hartimit të buxhetit të ri të Bashkisë për vitin 2026.

Takimi u zhvillua në kuadër të një projekti mbështetës që synon fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje dhe rritjen e përfaqësimit të saj në politikat lokale. Pjesë e diskutimit ishte edhe Kryetarja e Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa, e cila theksoi rëndësinë që ka përfshirja aktive e grave dhe vajzave në procesin buxhetor dhe në planifikimin e projekteve të zhvillimit.

Znj. Sefa vuri në dukje se gratë janë forca e heshtur, por e pazëvendësueshme e realitetit të kohës, dhe për këtë arsye buxheti i vitit 2026 do të përfshijë programe të dedikuara për fuqizimin e tyre ekonomik dhe social, përmes mbështetjes me trajnime, investime në biznese të vogla dhe shërbime më të mira sociale.

Ky takim përbën një hap konkret drejt ndërtimit të një qeverisjeje vendore gjithëpërfshirëse, ku zëri i çdo gruaje të dëgjohet dhe të reflektohet në politikat e së ardhmes.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: