ASHK sqaron zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës: shërbimet vijojnë online dhe me postë

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar lidhur me zhvendosjen e Drejtorisë Vendore të Kadastrës së Vlorës në Tiranë, duke sqaruar se ky proces është pjesë e një modeli organizimi të nisur prej disa vitesh, me synim rritjen e efikasitetit dhe unifikimin e praktikave administrative.

Sipas ASHK-së, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e optimizimit të burimeve njerëzore dhe administrative. Agjencia thekson se të gjitha aplikimet për shërbime kadastrale kryhen në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania dhe shërbimet ofrohen drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues.

ASHK sqaron gjithashtu se dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimeve, përveç ngarkimit online, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë përkatëse, pavarësisht vendndodhjes fizike të saj, duke garantuar administrim të rregullt dhe të standardizuar.

Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur në vitin 2021 me Durrësin dhe Krujën, për të vijuar më pas me Shkodrën, Kavajën, Kamzën–Vorën dhe së fundmi Vlorën. Në këtë kuadër, edhe punonjësit e mbetur në qytetin e Vlorës po zhvendosen në Tiranë, me synimin për përshpejtimin e trajtimit të dosjeve.

Agjencia siguron se falë digjitalizimit, juristët dhe hartografët mund të përpunojnë dokumentacionin ligjor dhe hartografik pa qenë fizikisht në territorin ku ndodhet prona. ASHK riafirmon angazhimin për përmirësimin e shërbimeve, rritjen e ritmit të legalizimeve dhe përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar në qarkun e Vlorës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033