Asfaltimi në Dushk dhe Zhamë, përmirësohet ndjeshëm infrastruktura rrugore në fshatrat e Njësisë Administrative Dushk

Rrugët e brendshme të Dushkut dhe Zhamës përfundojnë asfaltimin, duke sjellë lehtësim për banorët, transportin dhe aktivitetin bujqësor në zonë

Në fshatin Dushk të njësisë administrative me të njëjtin emër, kanë përfunduar punimet për shtrimin me asfalt të disa segmenteve të brendshme rrugore, përfshirë edhe të ashtuquajturën “Rruga e Varrezave”. Ky investim konsiderohet thelbësor për banorët e zonës, pasi u jep fund vështirësive shumëvjeçare në qarkullim, veçanërisht në kushte të vështira moti.

Segmentet e asfaltuara ishin prej kohësh në gjendje të amortizuar. Në dimër përmbyteshin dhe mbuloheshin nga balta, ndërsa në verë ktheheshin në burim pluhuri dhe gropash, duke penguar qarkullimin e fëmijëve drejt shkollës, mjeteve bujqësore dhe transportit të përditshëm.

Investimi është realizuar nga Bashkia Lushnje, në bashkëpunim me Drejtorinë e Pasurisë Publike. Banorët shprehën falënderime për këtë ndërhyrje, duke theksuar se ishte një premtim i mbajtur nga kryetarja e Bashkisë, Eriselda Sefa, e cila e kishte shpallur këtë projekt si prioritet, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Përmirësimet nuk janë kufizuar vetëm në Dushk. Punimet për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve kanë nisur edhe në fshatin Zhamë, që bën pjesë në të njëjtën njësi administrative. Edhe këtu po punohet për rrugët e brendshme dhe segmentet lidhëse që prej vitesh kishin mbetur jashtë vëmendjes.

Ndërhyrja në këto zona ka nisur për të përmbushur kërkesat urgjente të komunitetit dhe për të nxitur zhvillimin bujqësor e ekonomik të zonës. Banorët e Zhamës, të cilët prej kohësh kërkonin infrastrukturë më të denjë, shohin më në fund një zgjidhje konkrete për problemet e tyre.

Sipas bashkisë, investimet në infrastrukturë do të vijojnë në mënyrë të përshkallëzuar në të gjitha fshatrat e Njësisë Administrative Dushk, me qëllim përmirësimin e jetës së përditshme dhe mbështetjen e zhvillimit rural.

Aktualisht, punimet në të dy fshatrat janë drejt përfundimit, ndërsa autoritetet premtojnë se do të ndjekin me kujdes cilësinë dhe përfundimin në kohë të çdo segmenti rrugor.

Ndaj Postimin: