Arti i lahutës hyn në UNESCO – një triumf për trashëgiminë shqiptare

Lahuta, një nga simbolikat më të forta të identitetit kulturor shqiptar, është futur zyrtarisht në listën e UNESCO-s për trashëgimi jomateriale në nevojë urgjente mbrojtjeje. Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërjes së këtij instrumenti unik ka kaluar kufijtë dhe tani njihet në nivel botëror si një pasuri që duhet mbrojtur.

Prej shekujsh, lahuta ka qenë zemra e traditës në Malësinë e Madhe, Dukagjin, Rugovë, Drenicë, Plavë, Guci dhe shumë krahina të tjera të veriut, duke sjellë Eposin e Kreshnikëve dhe baladat e trimërisë, besës e mikpritjes. Ajo ka ruajtur vlerat e një kulture që ka mbijetuar përmes brezave.

Ky sukses është rezultat i një pune të gjatë nga studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, të cilët në bashkëpunim me komunitetet dhe kërkimin në terren përgatitën një dosje model sipas standardeve të UNESCO-s, e dorëzuar në mars 2024.

Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që po punojnë për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë jomateriale shqiptare. Shqipëria konfirmon angazhimin për ta ruajtur këtë pasuri unike dhe shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me Kosovën për projekte të tjera të përbashkëta kulturore.

Ndaj Postimin: