Arsimi profesional, Shqipëria në fund të rajonit.

Arsimi profesional mbetet një nga dallimet më të mëdha mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat e European Training Foundation tregojnë se në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, shumica e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë zgjedhin arsimin profesional.

Në Serbi, kjo shifër arrin në 72.7%.
Në Mal të Zi është 68.9%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 62.9%.

Ndryshe paraqitet situata në Shqipëri.

Në vitin 2023, vetëm 17.5% e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë ndiqnin një program profesional.

Shifra është edhe më domethënëse po të krahasohet me vitin 2019, kur arsimi profesional përfshinte 18.2% të nxënësve. Pra, në vend që të rritej, pjesëmarrja ka shënuar një rënie të lehtë.

Në Serbi, arsimi profesional është pjesë dominuese e sistemit të mesëm dhe ofrohet në më shumë se 300 shkolla profesionale, përmes programeve tre dhe katërvjeçare. Një pjesë e tyre zhvillohet edhe në modelin dual, ku praktika pranë punëdhënësve është pjesë e detyrueshme e programit.

Edhe Mali i Zi ka një pjesëmarrje të lartë, me rreth 69% të nxënësve në arsimin profesional, ndërsa në Maqedoninë e Veriut përqindja është rritur nga 60.2% në vitin 2019, në 62.9% në vitin 2022.

Në Shqipëri, arsimi profesional ofrohet në 34 shkolla publike dhe 12 private, ndërsa programet përfshijnë edhe praktikën profesionale.

Prej vitit shkollor 2024-2025, vendi ka nisur gjithashtu pilotimin e modelit dual, duke synuar një lidhje më të fortë mes shkollës dhe biznesit.

Por shifrat tregojnë se hendeku me vendet e rajonit mbetet i madh: 17.5% në Shqipëri, kundrejt mbi 60% në tre vendet e tjera të krahasuara.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033