Sulmuesi suedez Viktor Gyokeres pritet të transferohet te Arsenali pas një marrëveshjeje të arritur me klubin londinez, që e ka bindur me një kontratë pesëvjeçare.
Arsenali është shumë pranë afrimit të bujshëm të merkatos së verës. Sulmuesi i Sportingut të Lisbonës, Viktor Gyokeres, pritet të veshë fanellën e skuadrës londineze, pasi ka arritur një marrëveshje të plotë me klubin për një kontratë që do ta mbajë në “Emirates” deri në vitin 2030.
Lojtari 27-vjeçar ka shprehur qartë dëshirën për t’u bashkuar me Arsenalin, duke e bërë të ditur vendimin edhe pranë drejtuesve të Sportingut. Përplasjet mes palëve nisën që pas përfundimit të sezonit, pasi portugezët refuzonin ta linin të largohej pa ofertën e kërkuar. Megjithatë, presioni i vetë futbollistit ka bërë që Sportingu të zbutë qëndrimin.
Marrëveshja mes klubeve pritet të mbyllet në shifrën e rreth 80 milionë eurove. Edhe pse për sulmuesin ka patur interesim nga klube të ndryshme europiane, Gyokeres ka vendosur të qëndrojë besnik ndaj dëshirës së tij për të luajtur në Premier League me Arsenalin.
Statistikat e sezonit të kaluar e bëjnë këtë transferim edhe më të bujshëm. Në 52 ndeshje të zhvilluara me Sportingun, ai realizoi plot 54 gola, duke tërhequr vëmendjen e klubeve elitare të kontinentit.
Paralelisht, drejtuesit e Arsenalit po punojnë edhe për përforcime të tjera. Një prej objektivave kryesorë është mesfushori spanjoll Martin Zubimendi, aktualisht pjesë e Real Sociedad. Trajneri Mikel Arteta e ka vlerësuar shumë këtë lojtar dhe ka kërkuar me ngulm afrimin e tij.
Merkatoja e verës duket premtuese për klubin londinez, që synon të forcojë ndjeshëm skuadrën për të qenë pretendent serioz në kampionat dhe kompeticionet europiane. Prurjet e reja pritet të sjellin një Arsenal më konkurrues dhe më të thellë në rotacion për sezonin e ardhshëm.