Arsenal hap bisedimet për Rafael Leaon, Milani i vendos çmimin 80 milionë euro

Arsenali ka nisur kontaktet për transferimin e anësorit të Milanit, Rafael Leao, në një lëvizje që mund të shndërrohet në një nga surprizat e merkatos së verës.

Sipas mediave angleze, klubi londinez ka zhvilluar bisedime fillestare me përfaqësuesit e ndërkombëtarit portugez, duke analizuar seriozisht mundësinë e transferimit pas përfundimit të sezonit. Leao do të hyjë në dy vitet e fundit të kontratës me Milanin në qershor, çka e bën situatën e tij kontraktuale një faktor të rëndësishëm në negociata.

Raportohet se drejtuesit e Milanit janë të gatshëm të shqyrtojnë një ofertë të konsiderueshme, ndërsa gazetari Steve Kay përmend një shifër rreth 80 milionë euro për lirimin e 26-vjeçarit.

Interes për Leaon ka shfaqur edhe Manchester United, por aktualisht Arsenali duket se ka marrë avantazh në garë. Drejtori sportiv i klubit londinez, Andrea Berta, thuhet se ka pasur kontakte direkte me kampin e lojtarit.

Leao, i transferuar te Milani nga Lille në vitin 2019, ka regjistruar 79 gola dhe 64 asistime në 280 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Në sezonin aktual të Serie A, ai është golashënuesi më i mirë i përbashkët i skuadrës me tetë gola, së bashku me Christian Pulisic.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033