Një sasi e konsiderueshme armësh shpërthyese, armësh zjarri, municioni luftarak dhe lëndë narkotike është sekuestruar në fshatin Zall, Fushë Krujë. Në kërkim është shpallur shtetasi Y. Z., 49 vjeç, i dyshuar si posedues i materialeve.
Gjatë kontrollit të territorit, pranë banesës së tij, në tokë u gjetën dhe u sekuestruan: 24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4 dhe 11 kallëpë dinamiti.
Po ashtu u sekuestruan 27 djegore, 3 armë zjarri me krehra dhe pjesë armësh, 2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe 6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Në vendngjarje u gjetën edhe uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e 49-vjeçarit, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.