Arrestuar për shfrytëzim prostitucioni, në gjyq anëtari i Këshillit Bashkiak Lushnjë për vetëdeklarim të rremë

Arianit Muço, anëtar i Këshillit Bashkiak të Lushnjës, do të përballet me gjykatën. Prokuroria e Fierit e ka çuar për gjykim, pasi dyshohet se ka fshehur të shkuarën penale në formularin e vetëdeklarimit.

Sipas dosjes, Muço ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë i ndaluar apo arrestuar dhe se ndaj tij nuk ishte caktuar masë sigurie. Në formularin e depozituar më 23.03.2023 në Komisionin Zgjedhor, ai ka shënuar “Jo” në të dyja rubrikat përkatëse.

Por hetimet e procedimit penal nr. 419, të regjistruar më 01.04.2025 mbi bazën e materialit të referuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë nxjerrë në pah një tjetër histori.

Më 15.02.2006, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka ndaluar Muçon si të dyshuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese, sipas nenit 114/a/5 të Kodit Penal. Katër ditë më pas, me vendimin nr. 42 Regj., datë 19.02.2006, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin dhe ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” pa afat, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

Ai ka qëndruar në paraburgim për 5 muaj.

Tashmë ndaj tij rëndon akuza për “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, pasi sipas organit të akuzës ka paraqitur të dhëna që nuk pasqyrojnë realitetin në formularin e vetëdeklarimit, në kuadër të ligjit nr. 138/2015 për garantimin e integritetit të personave që ushtrojnë funksione publike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033