Arrestohet në Mirditë një 35-vjeçar i kërkuar ndërkombëtarisht për vjedhje me armë në Itali

Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, është arrestuar në Mirditë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Sipas Policisë së Shtetit, 35-vjeçari, i identifikuar si M. Zh., alias M. T., u kap në Rrëshen gjatë një operacioni të koduar “Mekanizmi”, i finalizuar pas sigurimit të informacioneve operative dhe bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.

Gjykata e Milanos, në vitin 2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të armëmbajtjes pa leje, vjedhjes me dhunë dhe shkatërrimit të pronës, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, gjatë vitit 2023, 35-vjeçari dyshohet se ka marrë pjesë në 71 raste vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me armë në banesa, në katër rajone të Italisë. Në secilin rast, anëtarët e grupit dyshohet se kanë qenë të armatosur dhe janë larguar nga vendngjarja me automjete.

Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti tip “Benz” me të cilin lëvizte i arrestuari. Ndërkohë, ka nisur procedimi penal për veprën “Përkrahja e autorit të krimit” ndaj shtetasit G. N., 37 vjeç, banues në Mirditë, i cili drejtonte automjetin në momentin e arrestimit.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Lezhës, ndërsa Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet italiane për përfundimin e procedurave të ekstradimit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033