Policia prangos në Tiranë Marjan Hemën, 48-vjeçarin nga Elbasani të shpallur në kërkim për vjedhje të përsëritura automjetesh, motorësh dhe targash në disa qytete.
Forcat e Komisariatit të Kuçovës, në bashkëpunim me policinë e Tiranës, arritën të prangosin Marjan Hemën, 48 vjeç, pas disa ditësh vëzhgimi të kujdesshëm. Ai akuzohet si autor i tre vjedhjeve të dokumentuara motoçikletash në Durrës, Kuçovë dhe Lushnjë.
Operacioni përfundoi në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku policia e gjeti Hemën me një motoçikletë të vjedhur, të pajisur me targa false të grabitura në Kuçovë. Madje ai kishte modifikuar shkronjën “R” të targës, duke e shndërruar në “P”, për të shmangur kontrollet.
Hetimet tregojnë se aktiviteti i tij ishte i shtrirë në të paktën 20 raste, përfshirë makina dhe targa, ndërsa policia ka në dorë prova të reja për të dokumentuar plotësisht grabitjet. Dyshimet shtrihen edhe në Fier, ku besohet se ai kishte ngritur një bazë për fshehjen e mjeteve dhe targave të vjedhura.
Policia e identifikoi Hemën falë gjurmëve të gishtave dhe pamjeve të kamerave të sigurisë. “U ndalua shtetasi M. H., 48 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, i dyshuar për tre raste vjedhjesh në periudhën maj–gusht 2025”, deklaruan autoritetet.
Skema e tij kriminale ishte e mirëorganizuar: në një qytet grabiste motorë ose makina, në tjetrin vidhte targa dhe më pas i përdorte për veprimtari të tjera të paligjshme. Këto targa dyshohet se janë përdorur edhe në atentate të rënda, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar çdo detaj.
Gjatë marrjes në pyetje, Hema dha deklarime kontradiktore, duke pretenduar se motoçikletën e kishte blerë nga persona të tjerë dhe mohoi se ishte e vjedhur. Pavarësisht kësaj, autoritetet theksojnë se provat materiale e lidhin drejtpërdrejt me grabitjet.
Marjan Hema nuk është emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar më parë për vepra penale të ngjashme dhe konsiderohet si një nga autorët më aktivë të grabitjeve të automjeteve dhe motorëve në vend. Arrestimi i tij shihet si një goditje e rëndësishme kundër krimit të organizuar në këtë fushë.


