Një 32-vjeçar nga Tirana u ndalua në Aeroportin “Valerio Catullo” të Italisë, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar për rolin qendror në një rrjet të trafikut të kokainës në Angli.
Policia britanike, në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka vënë në pranga një shtetas shqiptar 32-vjeçar, i cili konsiderohej pjesë kyçe e një organizate të strukturuar kriminale që vepronte në bregdetin jugor të Anglisë. Arrestimi ndodhi në aeroportin “Valerio Catullo”, gjatë një kontrolli rutinë të pasagjerëve.
Hetimet e zhvilluara nga autoritetet britanike zbuluan se shqiptari nga Tirana kishte një rol qendror në rrjetin e shpërndarjes së kokainës. Ai ishte përgjegjës për organizimin e punëtorëve, përgatitjen e pakove të drogës dhe koordinimin e grupit që vepronte në zonat bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas raportimeve nga mediat britanike dhe italiane, emri i të arrestuarit nuk është bërë publik për arsye hetimore, por autoritetet e konsiderojnë atë si një figurë të rëndësishme në logjistikën e trafikut të kokainës.
Operacionet e mëparshme të policisë britanike kishin çuar në sekuestrimin e mbi 28 kilogramëve kokainë dhe rreth 175 mijë paund në para të gatshme, që përkthehen në afro 200 mijë euro. Të gjitha provat e mbledhura e lidhin drejtpërdrejt 32-vjeçarin me aktivitetin kriminal.
Gjatë kontrollit në aeroport, ai u identifikua pas verifikimit të dokumenteve dhe menjëherë iu njoftua urdhri ndërkombëtar i arrestit. Hetuesit kishin zbuluar më herët se, mes muajve qershor dhe dhjetor 2024, ai kishte kryer blerje të dyshimta përmes platformës “eBay”.
Ai kishte porositur materiale paketimi, sasi të mëdha acetoni dhe pulla druri me simbole e numra, që dyshohet se përdoreshin për të shënuar pako me drogë. Një pjesë e këtyre pullave përputhej me shenjat e gjetura mbi pako kokainë të sekuestruara më parë në Angli, duke forcuar lidhjen mes të arrestuarit dhe rrjetit të trafikut.
Pas arrestimit, 32-vjeçari është vendosur në paraburgim në pritje të ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku do të përballet me akuzat për “trafik ndërkombëtar të narkotikëve” dhe “organizim të veprimtarisë kriminale”.
Autoritetet britanike kanë deklaruar se arrestimi është pjesë e një operacioni të gjerë për çmontimin e rrjeteve të trafikut të drogës që përdorin linjat tregtare ndërkombëtare si mbulesë për aktivitetin e tyre.


