Policia e Beratit ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Procedimi”, duke arrestuar një 43-vjeçar dhe proceduar një 31-vjeçar që dyshohen për shitje të lëndëve narkotike në territorin e qarkut.
Sipas njoftimit zyrtar, pas një hetimi disa mujor me metoda proaktive, policia ka dokumentuar veprimtarinë kriminale të dy personave që shpërndanin në mënyrë të përsëritur doza kanabisi në zona të ndryshme të Beratit.
Në pranga ka përfunduar shtetasi me inicialet J. L., 43 vjeç, ndërsa një 31-vjeçar me inicialet Xh. M. u procedua penalisht në gjendje të lirë. Të dy banues në qytetin e Beratit, ata akuzohen për veprimtari të organizuar në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi kanabisi të ndarë në doza të gatshme për shitje, si dhe një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 31-vjeçari, u zbulua një sasi tjetër kanabisi, e cila pritet t’i nënshtrohet analizës laboratorike për të përcaktuar përbërjen e saj.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Beratit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit. Hetimet kanë për qëllim identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së drogës në zonë.
Materialet procedurale janë referuar tashmë në Prokurorinë e Beratit për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa policia ka paralajmëruar se operacionet e këtij lloji do të vijojnë me fokus çrrënjosjen e tregtisë së narkotikëve në territorin e qarkut.
 
				 
															 
         
         
        

