Autoritetet meksikane kanë arrestuar një të dyshuar për trafik droge që dyshohet se luajti rol të rëndësishëm në operacionin që çoi në vdekjen e një prej figurave më të fuqishme të krimit në Meksikë, Nemesio Oseguera, i njohur si “El Mencho”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, në pranga është vënë Jose N, i njohur me nofkën “El Pepe”, i cili konsiderohej një nga operatorët logjistikë të kartelit Jalisco New Generation (CJNG).
Hetuesit thonë se ai kishte organizuar transportimin e partneres së Osegueras drejt një kabine luksoze në komunën Tapalpa, një lëvizje që ndihmoi shërbimet e inteligjencës të gjurmonin vendndodhjen e liderit të kartelit.
“Shërbimet e inteligjencës ushtarake arritën të identifikonin takimin dhe më pas të përcaktonin vendndodhjen e saktë,” njoftuan autoritetet pas operacionit.
Oseguera, i konsideruar si një nga trafikantët më të rrezikshëm në botë, u plagos për vdekje gjatë një operacioni të forcave elitare meksikane më 22 shkurt, pasi ishte parë në një klub golfi në shtetin Jalisco.
Sipas zyrtarëve meksikanë, vendndodhja e tij u konfirmua edhe përmes informacioneve të siguruara nga inteligjenca amerikane.
“El Pepe” u arrestua në komunën Tlajomulco, në shtetin Jalisco. Gjatë operacionit policia sekuestroi drogë, armë dhe një automjet.
Nemesio Oseguera ishte personi më i kërkuar në Meksikë dhe një nga objektivat kryesorë të DEA-së amerikane, e cila kishte vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kapjen e tij.
Pas vdekjes së tij, anëtarë të kartelit CJNG reaguan me dhunë në disa zona të vendit, duke bllokuar rrugë, djegur automjete dhe sulmuar biznese në më shumë se 20 shtete të Meksikës.
Operacioni për neutralizimin e Osegueras dhe përplasjet e mëvonshme mes forcave të sigurisë dhe anëtarëve të kartelit lanë më shumë se 70 të vdekur, mes tyre edhe 25 anëtarë të Gardës Kombëtare meksikane.
Lideri i kartelit u varros në fillim të këtij muaji në një ceremoni të madhe funerale, me një arkivol të artë dhe masa të rrepta sigurie nga autoritetet.