Arrestohet 41 vjeçari në Fier për shpërndarje të lëndëve narkotike, sekuestrohen 30 doza Cannabis Sativa

Policia e Fierit ka finalizuar një operacion antidrogë në kuadër të kontrollit të trafikut dhe përdorimit të lëndëve narkotike, duke sekuestruar 30 doza Cannabis Sativa dhe duke arrestuar një shtetas, ndërsa tre të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit zyrtar, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë E. D., 41 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë iu gjetën dhe iu sekuestruan 30 doza lënde narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale, Prokuroria ka nisur procedimin në gjendje të lirë për shtetasit P. Y., 36 vjeç, banues në Patos, S. R., 34 vjeç, banues në Fier, dhe T. D., 18 vjeç, banues në Divjakë, të cilëve gjatë kontrolleve fizike u janë gjetur sasi të vogla Cannabisi që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia bën të ditur se operacioni është pjesë e një fushate të gjerë për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetet e qarkut Fier, ndërsa hetimet po vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Ndaj Postimin: