Arrestohen grabitësit shqiptarë që terrorizuan turistët në Mykonos

Policia greke shkatërroi një bandë prej katër shqiptarësh që kryen disa vjedhje në Mykonos, duke marrë bizhuteri, para dhe sende të shtrenjta.

Autoritetet greke kanë vënë në pranga katër shtetas shqiptarë, të dyshuar si autorë të një serie grabitjesh të banesave dhe akomodimeve turistike në ishullin e Mykonos. Sipas raportimeve nga mediat greke, banda vepronte kryesisht në zona të frekuentuara nga turistë dhe kishte arritur të përfitonte sende me vlerë që arrinin në rreth 138 mijë euro.

Hetimet zbuluan se grabitësit kishin kryer të paktën dhjetë vjedhje të plota dhe tre tentativa të dështuara në periudhën mes 6 dhe 20 gushtit. Ata vepronin gjatë natës, duke shfrytëzuar errësirën për të hyrë në banesa pa u vënë re.

Sipas policisë, metoda e tyre ishte e mirëorganizuar. Ata përdornin furgona të marrë me qira për të lëvizur drejt objektivëve të tyre, thyernin dyer ose dritare dhe më pas merrnin gjithçka me vlerë, nga para dhe bizhuteri, deri te rrobat, këpucët dhe aksesorët e shtrenjtë.

Një pjesë të mallrave të vjedhura, grabitësit i fshihnin në vende të paarritshme, si shkëmbinj ose zona të largëta, për t’i marrë më vonë. Kjo taktikë u zbulua nga hetuesit pasi gjurmuan lëvizjet e tyre përmes pamjeve të kamerave të sigurisë.

Gjatë kontrollit në vendin ku qëndronin autorët, policia gjeti një sasi parash prej 3,395 eurosh, franga zvicerane, katër telefona celularë dhe disa prej sendeve të vjedhura. Këto prova u sekuestruan si pjesë e dosjes hetimore.

Arrestimi i kësaj bande ka sjellë lehtësim te banorët dhe turistët e ishullit, të cilët kishin shprehur shqetësim për rritjen e grabitjeve gjatë sezonit turistik. Policia greke ka deklaruar se operacionet për parandalimin e krimeve të ngjashme do të vijojnë.

Ndaj Postimin: