Arrestohen dy persona në Korçë për përdorimin e të miturit në vjedhjen e 6.6 milionë lekëve

Operacioni i Prokurorisë së Korçës çon në pranga dy të rritur, të cilët përdorën një fëmijë 12-vjeçar për të vjedhur miliona lekë nga një familje në Goskovë.

Një operacion i zhvilluar nga Prokuroria e Korçës ka çuar në arrestimin e dy personave, A.S. dhe S.T., të akuzuar për “vjedhje me pasoja të rënda” dhe “shtyrje të të miturve në krim”. Këta shtetas dyshohet se shfrytëzuan një të mitur për të vjedhur shumën prej 6.6 milionë lekësh nga kursimet e një familjeje në fshatin Goskovë.

Pas hetimeve që zgjatën rreth 18 muaj, u zbulua se i mituri, M.S., ishte përdorur si ekzekutor i vjedhjes, ndërsa ndaj tij u vendos masa sigurie “detyrim për t’u paraqitur në polici”. Ngjarja doli në dritë më 27 dhjetor 2023, pasi pronari i banesës, A.S., raportoi zhdukjen e shumës së konsiderueshme të parave nga kasaforta e shtëpisë së tij.

Gjatë hetimeve rezultoi se dy të arrestuarit kishin paguar herë pas here të miturin gjatë periudhës korrik-nëntor 2023, për ta nxitur në kryerjen e vjedhjes. Fëmija kishte marrë çelësin e kasafortës dhe kishte mundësuar grabitjen e parave.

A.S. dhe S.T. do të përballen me akuzat për “vjedhje me pasoja të rënda” dhe “shtyrje të të miturve në krim”, bazuar në nenet 134/3 dhe 129/25 të Kodit Penal. Sipas autoriteteve, A.S. rezulton të jetë përsëritës i këtij lloji veprash penale.

M.S., fëmija i përfshirë në ngjarje, u la në masë administrative për shkak të rolit të tij në krim, ndërkohë që ndaj të dyshuarve ekzistojnë prova të forta dhe deklarime të pranuara prej tyre gjatë hetimit. Prokuroria e Korçës vijon punën për zbardhjen e plotë të rastit.

Ndaj Postimin: