Një i ri tenton t’i shpëtojë policisë në Sarandë duke u hedhur në det, por ndalohet pas ndërhyrjes së policisë kufitare
Një skenë e pazakontë ka ndodhur mesditën e sotme në pedonalen e rrugës “Butrinti” në qendër të Sarandës, ku një i ri është përpjekur t’i shpëtojë ndalimit nga policia duke u futur në det. Ngjarja ka nisur pas ndalimit të një automjeti luksoz tip “Porsche Panamera” nga forcat e rendit.
Në mjet ndodheshin tre persona, dhe gjatë verifikimeve, njëri prej tyre është larguar me vrap, duke u hedhur në det për të shmangur kapjen. Ai mbante me vete një çantë të varur në qafë, veprim që ngjalli dyshime të menjëhershme tek efektivët e pranishëm në vendngjarje.
Dy personat e tjerë që ndodheshin në automjet u ndaluan nga forcat “Shqiponja” dhe u shoqëruan për në komisariat për verifikim të mëtejshëm. Ndërkohë, kërkimi për të arratisurin vijoi me intensitet në ujërat përreth zonës ku u hodh.
Në ndihmë të operacionit u angazhua edhe një mjet lundrues i Policisë Kufitare, i cili bëri të mundur lokalizimin dhe ndalimin e të dyshuarit në det, pas disa minutash ndjekje. I riu është kapur pa rezistencë dhe është transportuar drejt komisariatit të Sarandës.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se i riu ka hedhur në det një çantë ku mund të kenë qenë sende të paligjshme. Deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht përmbajtja e çantës, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Autoritetet kanë nisur kërkimin në fundin e detit pranë zonës ku u hodh çanta, për të bërë të mundur gjetjen e çdo materiali të dyshuar që mund të jetë provë në hetim. Ngjarja ka shkaktuar vëmendje të madhe mes kalimtarëve që ndodheshin në pedonale gjatë incidentit.
Hetimet janë në vijim dhe policia pritet të japë një informacion më të detajuar për atë që u hodh në ujë dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.