Një operacion policor i koduar “Tranzit” ka çuar në arrestimin e 38-vjeçarit Simon Gjoka në Lezhë, i cili fillimisht ishte nën hetim për vjedhje bagëtish, por gjatë kontrollit të telefonit të tij, autoritetet zbuluan edhe një tjetër krim të rëndë.
Sipas njoftimit të Policisë, Gjoka dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare, vajza e një gruaje që strehohej në banesën e tij në Lezhë. Ky zbulim u bë gjatë kontrollit të telefonit të tij, pas arrestimit për një seri vjedhjesh në zonë.
Hetimet zbuluan se i arrestuari ishte përgjegjës për disa raste vjedhjeje të bagëtive të trasha në fshatin Gajush, të ndodhura në fillim të shkurtit 2025. Policia po punon për të zbardhur raste të tjera të mundshme vjedhjeje në fshatrat përreth.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet sekuestruan dy automjete që dyshohet se përdoreshin për transportimin e bagëtive të vjedhura. Paralelisht, ekspertiza teknike mbi telefonin e tij çoi në identifikimin e veprës së rëndë penale të abuzimit seksual me të mitur.
Policia ka nisur hetime të thelluara për të mbledhur prova të tjera që mund të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të rasteve të vjedhjes dhe abuzimit. Po ashtu, po verifikohet nëse Gjoka kishte ndihmës apo bashkëpunëtorë në veprimet e tij të paligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ku ai do të përballet me akuzat për “Vjedhje të kryer në bashkëpunim” dhe “Marrëdhënie seksuale me të mitur”.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për këdo që ka informacion shtesë për veprimtarinë e të arrestuarit, të bashkëpunojë me Policinë për zbardhjen e plotë të çështjes.