Një 38-vjeçar shqiptar u kap në Greqi si autor i dyshuar i një rrjeti kibernetik që vodhi mbi 100 mijë portofole kriptovalutash, duke krijuar dëme që dyshohet se shkojnë në miliona euro.
Në Greqi është ndaluar një 38-vjeçar shqiptar, i konsideruar si mendja kryesore e programit të rrezikshëm VenomRAT, pas një operacioni të gjerë ndërkombëtar të koduar “Endgame”. Ky aksion erdhi si rezultat i bashkëpunimit mes Europol, Eurojust dhe policisë greke, të cilat synuan shkatërrimin e disa prej rrjeteve më të rrezikshme të krimit kibernetik.
Operacioni u zhvillua midis datave 10 dhe 14 nëntor, nën drejtimin e selisë qendrore të Europolit në Hagë. Ai kishte në shënjestër tre mekanizma kryesorë kibernetikë: Rhadamanthys, një prej programeve më agresive të vjedhjes së informacionit; Trojanin VenomRAT, që mundësonte akses të largët në kompjuterët e viktimave; si edhe botnetin Elysium, një rrjet masiv infeksionesh që ka gjeneruar dëme të mëdha ekonomike dhe teknologjike.
Sipas njoftimit zyrtar, rrjeti i çmontuar kryente sulme ndaj qindra mijëra viktimave në mbarë botën, duke mbledhur të dhëna sensitive, kredenciale hyrjeje dhe informacione financiare. Shumë prej përdoruesve nuk e kishin as idenë që kompjuterët e tyre ishin infektuar.
Operacioni “Endgame” mobilizoi forcat e zbatimit të ligjit në 11 vende, përfshirë Greqinë, Australinë, Belgjikën, Kanadanë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Lituaninë, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në. Qëllimi ishte neutralizimi i një ekosistemi të tërë që promovonte dhe shpërndante software keqdashës.
Si rezultat i veprimeve të sinkronizuara, autoritetet arritën të kryenin një arrestim në Greqi, kontrolle në 11 lokacione të ndryshme, si edhe ndërprerjen ose mbylljen e mbi 1,025 serverave kibernetikë në mbarë globin. Gjithashtu, 20 domene interneti u sekuestruan dhe u nxorën jashtë funksioni.
Sistemi i programeve keqdashëse që u shkatërrua përbëhej nga qindra mijëra kompjuterë të infektuar. Këto pajisje përmbanin miliona të dhëna të vjedhura, nga të cilat kriminelët përfitonin qasje të pakufizuar financiare dhe teknike.
I arrestuari, i identifikuar si Sotiraq Kolezi, 38 vjeç nga Bilishti, konsiderohet si njeriu me akses të drejtpërdrejtë në mbi 100 mijë portofole kriptovalutash të viktimave në gjithë botën. Hetuesit dyshojnë se vlera financiare e këtyre portofolave arrin në disa miliona euro.
Shqiptari dyshohet se ka pasur rol kryesor në menaxhimin e strukturës së botnetit dhe në përdorimin e VenomRAT, duke u mundësuar sulmuesve të hynin në pajisjet e njerëzve pa dijeninë e tyre. Ky sistem i jepte mundësi rrjetit kriminal të manipulonte kompjuterët e infektuar si pjesë e një mekanizmi global sulmesh.
Ekspertët e sigurisë kibernetike në Europol e kanë cilësuar këtë operacion si një nga goditjet më të rëndësishme kundër infrastrukturës që mbështet krimin dixhital. Ata theksojnë se mbyllja e mbi një mijë serverave dhe sekuestrimi i domeneve zbeh aftësinë e rrjeteve kriminale për të nisur sulme të tjera.
Arrestimi i Kolezit shihet si një hap i madh drejt zbërthimit të plotë të organizatës, ndërsa hetimet po vijojnë në disa shtete për të identifikuar bashkëpunëtorët dhe për të rikuperuar të dhënat e vjedhura.
Pritet që autoritetet greke të procedojnë me dokumentacionin përkatës, ndërsa Europol ka konfirmuar se faza të tjera të operacionit “Endgame” do të vazhdojnë gjatë muajve të ardhshëm.
Hetuesit ndërkombëtarë theksojnë se shumë prej viktimave nuk do ta kishin mësuar kurrë se ishin shënjestruar nëse ky rrjet nuk do të ishte shkatërruar. Rasti vlerësohet si një paralajmërim serioz për rritjen e kujdesit ndaj sigurisë online dhe ruajtjes së informacionit personal.


