Policia e Fierit arreston dy persona për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe dhunë në familje, ndërsa procedohen penalisht shtetas të tjerë për vjedhje, kanosje, dhunë dhe ndërtim pa leje, me veprime të shpejta në të gjithë qarkun.
Në Fier, Policia ka ndërmarrë një sërë veprimesh të rëndësishme gjatë 24 orëve të fundit, duke u fokusuar në sigurinë rrugore dhe në parandalimin e dhunës në familje. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë një 36-vjeçar, banues në Fier, i cili u kap duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Fierit arrestuan në flagrancë një 51-vjeçar, i dyshuar për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes së tij. Të dy rastet u evidentuan falë kontrolleve të shtuara dhe reagimit të shpejtë të uniformave blu.
Po gjatë këtyre orëve, janë proceduar penalisht disa persona të tjerë. Një 23-vjeçar nga Patosi dyshohet për vjedhje materialesh në kompaninë ku ishte i punësuar, ndërsa një 35-vjeçare nga fshati Metaj akuzohet se ka goditur fizikisht një grua 50-vjeçare, për motive të dobëta.
Një tjetër shtetas, 40 vjeç nga Roskoveci, u procedua për kryerje punimesh ndërtimi pa leje. Materialet e këtyre rasteve janë referuar menjëherë në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Në Lushnjë, hetuesit kanë nisur procedimin penal ndaj një 28-vjeçari nga Barbullinja, i cili dyshohet se ka kanosur përmes thirrjeve telefonike një tjetër qytetar. Ndërkohë, një 40-vjeçar nga Shkodra është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se i ka vjedhur kuletën një gruaje 60-vjeçare. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.
Në Divjakë, procedimi penal ka nisur për një nënë dhe bijën e saj, banuese në fshatin Shën e Premte, të cilat akuzohen se për motive të dobëta kanë ushtruar dhunë ndaj dy të afërmve të tyre.
Të gjitha rastet janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore. Policia thekson se do të vijojë kontrollet për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar çdo shkelje të ligjit në territorin e qarkut.