Policia e Shtetit ka vënë një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacione të vlefshme mbi vendndodhjen e Daut Lazes, 49-vjeçarit që u arratis nga burgu i Shënkollit në Lezhë mbrëmjen e djeshme.
Autoritetet e rendit e konsiderojnë të arratisurin si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve për ndihmë në lokalizimin e tij.
Sipas të dhënave zyrtare, Laze u arrestua në vitin 2021 për veprën penale “Dhuna në familje”. Në fillim të vitit 2024, Gjykata e Tiranës vendosi masën “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, duke e transferuar atë në Institucionin e Posaçëm Mjekësor në Lezhë.
Arratisja e tij u konstatua gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit nga stafi i burgut. Menjëherë pas alarmit, forcat policore nisën kontrolle të shumta për lokalizimin e tij, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion mbi vendndodhjen e 49-vjeçarit përmes numrit të emergjencave 112 ose numrit të vënë në dispozicion nga Drejtoria e Burgjeve.
Hetimet dhe kërkimet për kapjen e tij po vijojnë me intensitet, ndërsa autoritetet po verifikojnë të gjitha pistat e mundshme për të zbuluar itinerarin e të arratisurit.