Arratisja e Altin Ndocit, dyshime mbi rolin e kryeinfermierit të burgut të Durrësit dhe procedurat e transferimit në spital

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja hetimore për arratisjen e Altin Ndocit më 13 janar nga spitali i Durrësit, duke hedhur dritëhije mbi rolin e kryeinfermierit të burgut, Aulon Çuku, dhe mbi mënyrën se si u ndoqën procedurat për transferimin e të paraburgosurit jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.

Sipas Prokurorisë, Aulon Çuku rezulton të jetë personi që ka iniciuar dhe ndjekur të gjitha procedurat për shoqërimin e Ndocit drejt spitalit, pa kontaktuar paraprakisht mjekun që duhej ta vizitonte. Vendimi për transferimin e tij në spital konsiderohet si momenti kyç që çoi më pas në arratisjen e të paraburgosurit.

Nga aktet hetimore rezulton se kryeinfermieri i ka kërkuar mjekes së burgut, Yrfete Sema, një rekomandim për vizitë mjekësore për Altin Ndocin. Mjekja ka deklaruar se e ka hartuar rekomandimin pa e vizituar personalisht të paraburgosurin, duke u bazuar në informacionin e përcjellë nga Çuku se Ndoci kishte dhimbje veshkash.

“Nuk kam dijeni nëse Aulon Çuku e ka vizituar të burgosurin Altin Ndoci, por dyshoj se ai ka hyrë në ambientet e dhomave të paraburgimit, pasi ka lënë aparatet celular pranë komodinave”, ka deklaruar mjekja në Prokurori.

Nga ana e tij, Aulon Çuku i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se nuk e ka takuar Ndocin në ambientet e izolimit, nuk e ka vizituar dhe nuk i ka kërkuar mjekes rekomandim për vizitë, duke pohuar se rekomandimi i është dhënë prej saj pa kërkesë të drejtpërdrejtë.

Prokuroria ngre dyshime edhe për një ndërveprim të dyshimtë mes kryeinfermierit dhe drejtorit të burgut të Durrësit, tashmë i arrestuar, Indrit Cerloj, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë. Edhe këtë element Çuku e ka mohuar, duke deklaruar se nuk ka pasur kontakt me drejtorin në intervalet kohore të përmendura nga hetimi.

Hetimet hedhin dyshime të forta edhe mbi pretendimet për probleme shëndetësore të Altin Ndocit, të cilat sipas Prokurorisë mund të kenë qenë të rreme, ashtu si edhe katër shoqërimet e tij të mëparshme në spital që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Sipas të dhënave hetimore, shoqërimet në spital dyshohet se përdoreshin shpesh për “takime speciale”, kundrejt pagesave.

Vetë kryeinfermieri ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ndonjë urgjencë shëndetësore të Ndocit as mëngjesin e 13 janarit, kur ai u shoqërua drejt spitalit. Megjithatë, roli i tij pas transferimit ngre pikëpyetje të tjera.

Sipas mjekes Sema, komunikimi me spitalin për realizimin e vizitave ose konsultave bëhej nga kryeinfermieri. Prokuroria thekson në dosje se para shoqërimit të të burgosurit, mjeku i planifikuar për vizitë nuk ishte njoftuar, çka pengoi marrjen e masave për kryerjen në kohë të kontrollit mjekësor.

Sipas rekomandimit, Ndoci duhej të vizitohej nga një mjek kirurg. Në shërbimin e asaj dite ishte kirurgu Naim Mediu, i cili ka deklaruar se rreth orës 10:30 është kontaktuar telefonikisht nga Aulon Çuku për një konsultë, ndërkohë që të dy ndodheshin në ambientet e spitalit. Pas një takimi në recepsion, kirurgu ka rekomanduar dhënien e katër medikamenteve qetësuese, duke sqaruar se vizita do të kryhej pas një intervali kohor.

Kirurgu ka deklaruar se gjatë plotësimit të rekomandimit, Altin Ndoci nuk ishte i pranishëm dhe se dokumentin ia ka dorëzuar kryeinfermierit. Pas kësaj, ai është futur në sallën e operacionit për një ndërhyrje tjetër.

Sipas hetimeve, nuk rezulton që Ndoci të ketë marrë ndonjë trajtim mjekësor në pritje të vizitës. Dy punonjësit e sigurisë që qëndronin me të në dhomën e repartit infektiv kanë deklaruar se kryeinfermieri u ka komunikuar se mjeku do të vonohej dy ose tre orë.

Pas daljes nga salla e operacionit, kirurgu Mediu ka pohuar se është njoftuar nga Çuku se Altin Ndoci ishte larguar nga spitali. Një tjetër telefonatë mes tyre është zhvilluar rreth orës 15:00, afro dy orë pas arratisjes, këtë herë nga një numër telefoni i paregjistruar më parë, ku është diskutuar për mënyrën se si kishte ndodhur ngjarja.

Nga dosja rezulton se Altin Ndoci u transportua drejt spitalit me ambulancën e burgut, së bashku me një të paraburgosur tjetër, në shoqërinë e vetëm pesë punonjësve të sigurisë, në shkelje të protokolleve të sigurisë. Ai arriti të largohej nga dhoma e spitalit, e përshtatur me kafaz hekuri, në momentin kur kërkoi të shkonte në tualet.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033