Një 48-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se mbante pa leje armë zjarri dhe municion luftarak të fshehura në banesën e tij. Operacioni është zhvilluar në fshatin Pezë Helmes, pas informacioneve të siguruara nga policia në rrugë operative.
Sipas autoriteteve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë finalizuar operacionin e koduar “Sinjalizimi”, gjatë të cilit është kapur në flagrancë shtetasi me inicialet Sh. L., 48 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatike tip kallashnikov, tre krehra dhe sasi municioni luftarak. Të gjitha materialet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
48-vjeçari është shoqëruar dhe arrestuar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. Hetimet vijojnë për të sqaruar nëse armët mbaheshin për qëllime kriminale apo nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.