Shqetësim i përsëritur nga fermerët: prodhimet bujqësore, vreshtaria dhe problematikat e fushës po neglizhohen nga një strukturë që në letër ekziston, por në praktikë duket më shumë si një model i zbrazët.
Drejtori që mbulon tri qarqe: Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, drejton një staf të fryrë me specialistë agronomë që paguhen me taksat e shqiptarëve, por që realisht nuk njihen nga fermerët e zonave. Ata mungojnë në parcelat bujqësore, mungojnë në rastet e fatkeqësive natyrore, mungojnë kur fermeri ka nevojë për këshillim, por janë prezent… në kafenetë e qytetit.
Kamera e TV Apollon ka qenë shpesh në terren, ballë për ballë me hallet reale të bujqve, aty ku mungon ndihma institucionale. Ndërkohë, nga zyrat me karrige të shtrenjta, lëshohen shifra, lavdata, projekte, tabela e “strategji” – që duken sikur përshkruajnë një bujqësi elitare, të cilën fermeri nuk e sheh dhe as e prek.
Në emër të lavdive për shpërndarjen e naftës apo për parcelat “fantazmë”, drejtuesit e AREB shfaqen në portale si “ekspertë vizionarë”, ndërkohë që fermerët nuk dinë as emrat e specialistëve që paguhen për t’u kujdesur për ta. Në bashkinë e Divjakës, fermerët nuk njohin as agronomët që janë pjesë e strukturës së punës për të adresuar shqetësimet e tyre.
Deri kur bujqësia do të përdoret si platformë fasadë për karriera personale e karrige politike? Deri kur drejtues me kostume firmato dhe arrogancë baroni do të flasin për bujqësinë nga tavolina e kafes dhe jo nga brazda e tokës? Shqipëria nuk ka nevojë për burokratë ruralë me shkëlqim mediatik, por për njerëz që e njohin dhe e ndjejnë terrenin. Bujqësia është shtyllë e ekonomisë dhe jo arenë lojërash me domino!
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


