Ardon Jashari nis aventurën e tij te Milani

Mesfushori shqiptar nga Zvicra prezantohet si lojtar i Milanit, shpreh krenarinë, emocionin dhe ambicien për të fituar trofe të mëdhenj me kuqezinjtë.

Ardon Jashari, mesfushori zviceran me origjinë shqiptare, ka bërë prezantimin e tij të parë si lojtar i Milanit, duke folur për emocionin dhe synimet që e presin te gjiganti italian. Në intervistën për televizionin zyrtar të klubit, ai u shpreh i vendosur për të dhënë gjithçka në fushë.

“Është një ndjesi e jashtëzakonshme të jem këtu pas javëve të mbushura me ngjarje. Jam krenar që bëhem pjesë e këtij klubi legjendar dhe synimi im është të kthejmë Milanin në majat e futbollit. Dua të fitojmë trofe dhe të sjellim gëzim për tifozët,” tha Jashari.

Ai zbuloi se sapo mori vesh për interesimin e Milanit, nuk pati asnjë mëdyshje. “Ishte rruga që dëshiroja të ndiqja. Ëndrra ime që nga fëmijëria ka qenë të luaj për këtë klub. Në shtëpi dhe mes miqve të mi, Milani ka qenë gjithmonë pjesë e bisedave tona. Sot kjo ëndërr është bërë realitet,” shtoi ai.

Sa i përket kontributit që pret të sjellë në skuadër, Jashari theksoi aftësitë e tij në lojën fizike, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ai u shpreh i gatshëm të ndihmojë me pasimin e fundit, të krijojë raste për gol dhe të kontribuojë në çdo moment të lojës.

Duke folur për idhujt e tij të fëmijërisë, Jashari veçoi Roberto Baggion dhe Andrea Pirlon, ndërsa nuk fshehu entuziazmin që do të luajë përkrah Luka Modriçit. “Të ndash fushën me një legjendë si Modriçi është fantastike. Dua të mësoj prej tij dhe të përfitoj nga përvoja e tij e jashtëzakonshme,” tha mesfushori.

Numri 30, që Jashari ka zgjedhur për fanellën e tij, ka një kuptim të veçantë. Është numri me të cilin nisi karrierën në Zvicër dhe gjithashtu ai numër që Lionel Messi mbante në fillimet e tij. “Ky numër më ka sjellë fat dhe shpresoj të bëhet po aq historik edhe këtu te Milani,” tha ai, duke e mbyllur mesazhin për tifozët: “Ciao kuqezinj, le të fitojmë së bashku.”

Ndaj Postimin: