Mesfushori Arbin Zejnullai, një nga lojtarët më të suksesshëm të Egnatias, është pranë një rikthimi të bujshëm te Shkëndija e Tetovës, pas përfundimit të kontratës me ekipin rrogozhinas.
Në fund të sezonit, Arbin Zejnullai vendosi të mos rinovojë me Egnatian, ndonëse klubi e kishte vlerësuar si pjesë thelbësore të projektit të viteve të fundit. Pavarësisht ofertës për të qëndruar, mesfushori zgjodhi të ndërpresë bashkëpunimin me skuadrën e Edlir Tetovës, duke hapur një faqe të re në karrierë.
Burime pranë “Infosport.mk” bëjnë me dije se lojtari është shumë pranë një marrëveshjeje me Shkëndijën e Tetovës, ekip ku Zejnullai është formuar dhe ka lënë gjurmë përpara transferimeve të tjera. Kthimi te Shkëndija shihet si një rikthim në “shtëpi” për futbollistin, duke ngjallur entuziazëm te tifozët vendas.
Zejnullai ka mbajtur veshur fanellën e Shkëndijës deri në vitin 2021, përpara se të provonte veten në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit dhe më vonë te Rabotniçki. Prej vitit 2022 ai u bashkua me Egnatian, ku u bë një ndër shtyllat kryesore të skuadrës rrogozhinase.
Tani që kontrata me Egnatian ka përfunduar, futbollisti tetovar është gati të nisë një kapitull të ri te kampionët e Maqedonisë së Veriut. Klubi i Shkëndijës pritet ta zyrtarizojë transferimin shumë shpejt, ndërsa tifozët shpresojnë që Zejnullai të sjellë eksperiencën e tij të fituar në Superiore dhe jashtë saj.
Ky rikthim përforcon objektivat e Shkëndijës për të ruajtur nivelin konkurrues në kampionatin maqedonas, ndërsa për vetë Zejnullain, kjo është një mundësi për të shkëlqyer sërish në “shtëpinë” ku u rrit si futbollist.