Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, u bë protagonist në javën e dytë të kampionatit kroat me një asist të rëndësishëm për Dinamon e Zagrebit.
Në përballjen ndaj Vukovar 1991, Hoxha nuk e nisi si titullar, por trajneri e aktivizoi në minutën e 69-të. Futbollistit shqiptar i mjaftuan vetëm tetë minuta për të ndikuar në rezultatin e ndeshjes.
Në minutën e 77-të, pas një aksioni të shpejtë, Hoxha shërbeu saktë për Kulenovic, i cili shënoi golin e tretë për Dinamon, duke vulosur fitoren e skuadrës kryeqytetase. Ky moment e bëri Hoxhën një nga lojtarët më të vlerësuar të takimit.
Statistikat pas ndeshjes e renditën sulmuesin kuqezi me notën 8.1, duke u pozicionuar menjëherë pas shënuesit Kulenovic, që mori 8.5. Kjo paraqitje e mirë e rrit peshën e Hoxhës në skuadër, duke i dhënë sinjale pozitive për aktivizime më të shpeshta në javët e ardhshme.
Nga ana tjetër, tek Vukovar 1991 u aktivizua në minutën e 71-të talenti i përfaqësueses U-21, Enis Shabani. Megjithatë, ai nuk arriti të ndikonte në rrjedhën e lojës dhe ndeshja përfundoi në favor të Dinamos.
Për Hoxhën, ky asist ishte një tregues i qartë i formës së mirë dhe gatishmërisë për të qenë vendimtar, edhe kur nuk nis ndeshjen nga minuta e parë.


