Riadi nuk pritet të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin pa një plan diplomatik për shtet palestinez dhe për sa kohë qeveria Netanyahut mbetet në pushtet, sipas burimeve të afërta me autoritetet saudite.
Arabia Saudite nuk ka ndërmend të ecë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin në rrethana të tilla si ato të sotmet, ku qeveria e drejtuar nga Benjamin Netanyahu vijon politikën e saj të ashpër në territoret palestineze. Raportimi vjen nga gazeta izraelite Haaretz, e cila citon burime palestineze të lidhura me zyrtarë të lartë sauditë.
Sipas këtyre burimeve, Riadi ka vendosur një kusht të qartë dhe të panegociueshëm: çdo hap drejt normalizimit do të kërkojë një propozim të mirëfilltë diplomatik që garanton krijimin e një shteti palestinez. Pa këtë element, Arabia Saudite nuk do t’i hapë dyert një marrëveshjeje të mundshme me Tel Avivin.
Burimet e cituara theksojnë se Arabia Saudite nuk pranon që Izraeli t’i diktojë kushtet një fuqie rajonale si ajo. Sipas tyre, çdo marrëveshje duhet të jetë rezultat i një procesi të balancuar dhe të mbështetur mbi të drejtat legjitime të palestinezëve.
Qëndrimi i Riadit shihet si një sinjal i qartë politik, që jo vetëm dërgon mesazh ndaj qeverisë izraelite, por edhe riafirmon rolin e Arabisë Saudite si një aktor kyç në çështjet e Lindjes së Mesme.


