Arabia Saudite kërkon rikthimin diplomatik, vizita e Bin Salman në SHBA, hap i madh

Vizita e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman në SHBA shihet si një hap i madh drejt rikthimit në skenën ndërkombëtare, mes kritikave për të kaluarën dhe marrëveshjeve të reja strategjike me administratën Trump.

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, pritet të bëjë një hap të rëndësishëm drejt normalizimit diplomatik gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, ku do të takojë presidentin Donald Trump. Vizita e tij shihet si përpjekja më e madhe për t’u ribërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar pas viteve të polemikave.

Figura e bin Salman ndan opinionin publik: disa e përshkruajnë si reformator vizionar, të tjerë e shohin si autokrat të pamëshirshëm. Emri i tij u njollos rëndë pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, një kritik i njohur i regjimit sauditi. Megjithëse CIA e lidhi drejtpërdrejt princin me urdhrin për vrasjen, Trump e mbrojti aleatin e tij strategjik.

Në vitin 2022, edhe ish-presidenti Joe Biden shkaktoi debat global kur shqeu protokollet e distancës diplomatike dhe u përshëndet me bin Salman me një “fist-bump”, një imazh që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Ndërkohë, princi ka mohuar vazhdimisht urdhrin për vrasjen, por ka thënë se mban përgjegjësi, sepse ngjarja ndodhi gjatë kohës që ai drejtonte vendin.

Vizita e tij e tanishme në SHBA, e para gjatë mandatit të dytë të Trump, shihet si një sinjal i fortë i rikthimit të tij në tryezën e diplomacisë globale.

Analistët ndërkombëtarë theksojnë se bin Salman paraqitet sot si një figurë e ndryshuar. Sipas Michael Wahid Hanna nga International Crisis Group, pyetjet rreth mënyrës së qeverisjes së tij mbeten, por momenti është ndryshe dhe më i favorshëm për të. Ai thekson se princi është kyç për strategjinë e administratës amerikane në Lindjen e Mesme.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, Trump dhe bin Salman pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje ekonomike dhe të mbrojtjes, duke forcuar aleancën mes dy vendeve. Para se princi të mbërrinte në SHBA, Trump deklaroi se është gati të miratojë shitjen e avionëve F-35 për Arabinë Saudite, një lëvizje e diskutueshme që mund të ndryshojë ekuilibrat ushtarakë në rajon, ku Izraeli ka gëzuar tradicionalisht epërsinë teknologjike.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se aprovimi politik nuk garanton shpërndarjen e menjëhershme të F-35-ve. Andrew Leber nga Carnegie Endowment kujton se një marrëveshje e ngjashme me Emiratet nuk u realizua për shkak të shqetësimeve amerikane mbi ruajtjen e avantazhit izraelit dhe frikës për rrjedhje të teknologjisë drejt Kinës.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit do të jetë një pikë kyçe e diskutimeve. Trump shpreson që Riadi t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, por analistët mbeten skeptikë, duke theksuar se kushti kryesor i sauditëve është një garanci e prekshme për krijimin e një shteti palestinez — një kërkesë që Izraeli e ka refuzuar publikisht.

Ekspertët si Fawaz Gerges vlerësojnë se rreziku politik për bin Salman është i madh, pasi çdo hap drejt normalizimit mund të trazojë politikën e brendshme saudite. Strategjia e tij ka qenë gjithmonë të minimizojë kërcënimet ndaj pushtetit të tij.

Pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje me Israelin, princi ka fituar pikë politike falë rolit të tij në lehtësimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Kjo e ka forcuar imazhin e tij në skenën ndërkombëtare.

Sipas administratës amerikane, gjatë vizitës pritet të shpallen disa marrëveshje të rëndësishme, përfshirë investime saudite me vlerë miliarda dollarë në sektorin amerikan të inteligjencës artificiale, bashkëpunim të thelluar për energjinë bërthamore civile dhe realizimin e angazhimit të Arabisë Saudite për investime që arrijnë në 600 miliardë dollarë.

Megjithatë, kritikat për lidhjet e Trump me bizneset saudite nuk kanë munguar. Organizatata të pavarura kanë ngritur shqetësime për konflikt interesi, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se Trump Organization është duke shqyrtuar projekte të mëdha ndërtimi me partnerë sauditë.

Organizatat e të drejtave të njeriut kërkojnë që bashkëpunimi me Arabinë Saudite të shoqërohet me presion të qartë për reformimin e bilancit të saj të zymtë. Human Rights Watch raportoi një rritje të ndjeshme të ekzekutimeve në vitin 2025, ndërsa kufizimet për gratë, megjithëse të lehtësuara, mbeten problematike.

Princi i Kurorës është përpjekur të modernizojë imazhin e vendit, duke hapur derën për evente sportive dhe kulturore të profilit të lartë. Megjithatë, këto hapa janë kritikuar si përpjekje për të mbuluar represionin politik.

Sipas ekspertëve të ICG, ndryshimet e ndërmarra prej tij kanë qenë thelbësisht sociale dhe ekonomike, por jo politike. Bin Salman ka zvogëluar rolin e autoriteteve fetare dhe ka zhvendosur shoqërinë saudite drejt modelit perëndimor, shpesh pa asnjë pengesë të brendshme.

Vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë vjen si një test për balancimin mes interesave strategjike, kritikave të ashpra ndërkombëtare dhe kërkesës për më shumë transparencë në mënyrën se si veprojnë dy qeveritë.

Ndaj Postimin: