Parku Arkeologjik i Apolonisë mbetet një nga pasuritë historike dhe kulturore më të çmuara të Shqipërisë, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas e të huaj.
Apolonia është një qytet i lashtë që mahnit me peizazhin e saj, monumentet e shumta, gjurmët unike të kulturës ilire dhe lavdisë së antikitetit. E themeluar rreth fillimit të shekullit IV p.e.s., ajo u bë një nga qendrat më të rëndësishme të Adriatikut, menjëherë pas Dyrrahut.
Nga periudhat e hershme të jetës së qytetit janë ruajtur fragmente të murit mbrojtës dhe fragmentet e një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës që gëzonte adhurim të veçantë mes banorëve të Apolonisë.
Pozicioni strategjik i jepte mundësinë të zotëronte gjithë fushën e Myzeqesë dhe të lidhej përmes lumit Vjosa me detin Adriatik, duke u shndërruar në një qendër të fuqishme tregtare e industriale. Muret e saj mbrojtëse, 4 kilometra të gjatë, rrethonin një sipërfaqe prej 140 hektarësh.
Gërmimet e para arkeologjike nisën në shekullin XIX nga misione franceze dhe u pasuan nga kërkime të vazhdueshme shqiptare e ndërkombëtare. Ndër monumentet më të veçanta spikasin Odeoni, monumenti i Agonotetëve, Biblioteka, Portiku, vilat romake me mozaikë dhe Kisha bizantine e Shën Mërisë.
Objektet e mbetura janë ekspozuar në muzeun arkeologjik brenda manastirit të shekullit XIII, ku vizitorët mund të njihen nga afër me trashëgiminë materiale të qytetit antik. Nga kopshti i manastirit shtrihet një panoramë e mrekullueshme drejt fushës dhe detit.
Sot, Apolonia është një nga destinacionet më të privilegjuara të turizmit kulturor në Shqipëri.
Turistë nga Gjermania, Italia, Spanja e Franca vizitojnë çdo vit, të mahnitur nga kombinimi i historisë, arkitekturës dhe natyrës së qetë, që e bëjnë Apoloninë një përvojë të paharrueshme për çdo vizitor.