Apolonia godet në zemër të Lushnjës dhe fiton derbin e Myzeqesë

Apolonia rrëmben fitoren në transfertë pas një goli vendimtar nga Amagba, duke lënë Lushnjën në krizë rezultatesh dhe me shumë pikëpyetje për vijimësinë e sezonit.

Në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës u zhvillua sot një përballje e fortë e javës së tetë të Kategorisë së Parë, ku Apolonia arriti të triumfojë minimalisht 1-0 ndaj vendasve. Derbi klasik të Myzeqesë, dhuroi emocione, por edhe zhgënjim për tifozët lushnjarë.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 65-të nga Amagba, i cili përfitoi nga një gabim në mbrojtjen vendase dhe dërgoi topin në rrjetë me saktësi. Ky gol u mjaftoi fierakëve për të marrë tri pikë të arta në një transfertë të vështirë.

Pavarësisht përpjekjeve të Lushnjës në minutat e fundit, skuadra nuk arriti të gjejë rrugën e golit. Mungesa e ideve në sulm dhe vështirësia për të ndërtuar aksione të rrezikshme treguan qartë problemet që po shoqërojnë ekipin lushnjar këtë sezon.

Nga ana tjetër, Apolonia tregoi pjekuri taktike dhe një organizim të fortë në mbrojtje. Lojtarët e drejtuar nga stafi teknik fierak administruan ndeshjen me kujdes, duke ndalur çdo tentativë të kundërshtarit dhe duke ruajtur avantazhin deri në fund.

Performanca e Amagba-s u veçua si pika më e ndritshme e ndeshjes, jo vetëm për golin, por edhe për energjinë dhe sakrificën që shfaqi gjatë gjithë lojës. Po ashtu, portieri Kacaj dhe mbrojtësi Topi u shquan për ndërhyrje vendimtare që ruajtën rezultatin.

Skuadrat dolën nga fusha me ndjesi të kundërta: Apolonia me moral të lartë dhe një fitore që e ngjitet më lart në renditje, ndërsa Lushnja me zhgënjim dhe me presion të shtuar për rikthimin e rezultateve pozitive në javët në vijim.

Formacionet zyrtare:
LUSHNJA: Alimuçaj, Hida, Deliaj, Korreshi, Camko, Kouasi, Ribaudo, Ibrahim, Ntephe, Allmuça, Meta
APOLONIA: Kacaj, Topi, Asllanaj, Folorunsho, Amagba, Trifoni, Ndubuisi, Olavale, Ajivi, Hoxhaj, Mahmutaj

Video me momentet e ndeshjes e sjellë nga gazetari Ndriçim Gjoshi.

Ndaj Postimin: