Parku arkeologjik i Apollonisë po përballet me një rritje alarmante të rasteve të vjedhjeve dhe trafikut të artefakteve, ndërsa ekspertët kërkojnë masa urgjente për mbrojtje më të fortë.
Apollonia, një nga parqet më të mëdha arkeologjike në Shqipëri, po kthehet gjithnjë e më shumë në një shënjestër të organizatave kriminale që synojnë pasuritë e saj të rralla kulturore. Në një tryezë të rrumbullakët të mbajtur së fundmi në mjediset e parkut, përfaqësues të “Trashëgimisë Kulturore Pa Kufij” prezantuan një projekt të ri për mbrojtjen e këtij thesari kombëtar.
Sipas drejtuesve të parkut, territori i Apollonisë shtrihet në një hapësirë të gjerë që përfshin edhe zonat përreth si fshatrat Pojan, Povelcë dhe Radostinë, ku gjetjet arkeologjike janë të përditshme. Banorët lokalë rrëfejnë se gjatë punimeve në tokë apo hapjes së themeleve, hasin shpesh objekte të lashta me vlera të mëdha historike.
Një pjesë e këtyre objekteve, përfundojnë në duart e trafikantëve që i shesin në tregjet e huaja të artefakteve. Kjo situatë, sipas ekspertëve, tregon se trashëgimia kulturore në vend mbetet e pambrojtur dhe se nevojiten strategji të reja sigurie për të parandaluar dëmet e mëtejshme.
Drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apollonisë, Ornela Dyrmishi, theksoi se mungesa e fondeve dhe burimeve njerëzore e bën të vështirë mbikëqyrjen e një zone kaq të madhe, ndërkohë që shtoi se bashkëpunimi me komunitetin lokal është thelbësor për ruajtjen e pasurive arkeologjike.
Në diskutim u soll si shembull edhe rasti i vjedhjes spektakolare në Muzeun e Luvrit, që ka rritur ndjeshmërinë ndaj mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në mbarë botën. Pjesëmarrësit në tryezë theksuan se siguria e monumenteve arkeologjike nuk mund të konsiderohet më e garantuar, madje as në vendet me sisteme të zhvilluara.
Kujtojmë se në vitin 2017 policia e Fierit arrestoi dy persona dhe sekuestroi 230 objekte antike të grabitura nga nëntoka përreth Apollonisë, që ishin destinuar për shitje në tregun e zi ndërkombëtar. Ky rast mbetet një nga operacionet më të mëdha të zbuluara në mbrojtje të trashëgimisë shqiptare.


