Platforma kineze e tregtisë online u bë aplikacioni më i shkarkuar në vend, duke dominuar tregun dhe duke ndryshuar zakonet e konsumatorëve shqiptarë.
Shqipëria, njësoj si shumica e vendeve europiane, ka renditur “Temu” si aplikacionin më të shkarkuar në vitin 2024. Sipas të dhënave të publikuara nga Maps Interlude, kjo platformë kineze e tregtisë online ka fituar popullaritet falë ofertave të shpeshta dhe çmimeve të ulëta, duke tërhequr një numër të madh përdoruesish.
Në rajon, prirjet kanë qenë të ndryshme: Serbia ka parë në krye aplikacionin financiar “AllRecovery”, ndërsa Mali i Zi ka pasur “TikTok” si më të shkarkuarin. Në Europë, “Temu” ka dominuar në Francë, Gjermani dhe Spanjë, ndërsa në Itali ka kryesuar “TikTok”. Zvicra dhe Austria kanë pasur si më të shkarkuar “ChatGPT”, ndërsa Belgjika ka zgjedhur “Klarna”.
Fakti që “Temu” ka marrë kryesimin edhe në Shqipëri tregon se tregu vendas po përputhet gjithnjë e më shumë me trendet europiane të konsumit. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Elektronike tregojnë se vetëm gjatë qershorit 2025, dërgesat nga kjo platformë kanë arritur deri në 15 mijë pako në ditë, duke përfaqësuar një të tretën e tregut të shitjeve online.
Rritja e fenomenit pasqyrohet edhe në statistikat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave transaksionet në e-commerce janë rritur me rreth 30% çdo vit. Ky zhvillim tregon jo vetëm përhapjen e platformave ndërkombëtare në vend, por edhe ndryshimin e zakoneve të konsumatorëve shqiptarë, të cilët po zgjedhin gjithnjë e më tepër blerjet online.
“Temu”, i krijuar në vitin 2022 nga PDD Holdings, ofron një gamë të gjerë produktesh – nga moda dhe elektronika, deri te pajisjet për shtëpinë – gjithmonë me çmime shumë konkurruese. Vetëm dy vite pas lançimit, ai u kthye në një prej aplikacioneve më të njohura në Europë, duke fituar terren edhe në Shqipëri.
Përveç “Temu”, një tjetër emër që po fiton popullaritet është “ChatGPT”, i shkarkuar masivisht në 11 vende të Europës gjatë vitit 2024. Ky sistem i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga OpenAI përdoret për komunikim, përkthime, kërkime dhe asistencë akademike, duke treguar se konsumatorët po ndajnë vëmendjen mes argëtimit, teknologjisë dhe praktikës së përditshme.